Ukraina nis tërheqjen e armatimeve

22/09/2014 00:00

Ukraina po bëhet gati të tërheqë artilierine nga vija e frontit me rebelët pro-rusë, duke vënë kështu në zbatim paktin e së shtunës, kur të dyja palët ranë dakord të largonin armët e rënda 15 nga km nga secila anë, për të krijuar kështu një zonë të sigurtë prej 30 kilometrash gjithësej.

Pas shkëmbimeve të zjarrit mbrëmjen e së dielës, situata këtë të hënë duket më e qetë. Edhe pse armëpushimi i 5 shtatorit në përgjithësi po mban, shkeljet nuk kanë munguar.

Madje, javën e fundit kanë njohur edhe përshkallëzim duke shtyrë gjeneralin amerikan Philipp Breedlove të deklarojë se trupat ruse ende veprojnë brenda Ukrainës dhe se armëpushimi është i tillë vetëm në letër.

Të djelën mijëra demonstrues marshuan në kryeqytetin rus Moskë, në shenjë proteste ndaj rolit të Rusisë në konfliktin ukrainas, të cilin Perëndimi e konsideron të pamohueshëm.

Turma njerëzish që thërrisnin “jo luftës” dhe “boll me gënjeshtra” mbushën sheshin Pushkin, ndërsa disa prej tubuesve mbanin në duar pankarta ku shkruhej “Junta është në Kremlin, jo në Kiev”.

Manifestime të ngjashme me thirrjet “Ukrainë, ne jemi me ty!” u zhvilluan edhe në Shën Petersburg dhe në qytete të tjera ruse.

Pavarësisht marshimeve të së djelës, sondazhet aktuale tregojnë se një pjesë e madhe e rusëve vazhdojnë ta mbështesin politikën e Kremlinit përballë Kievit.

Zëra që shtrojnë pyetjen nëse aksionet e Moskës janë të dëmshme jo vetëm për Ukrainën, por edhe për Rusinë, thuajse nuk dëgjohen kurrë në publik.

Top Channel