“Starbucks”, një kafe me shije birre

22/09/2014 00:00

Një kafe me shijen e birrës. Mund të tingëllojë e çuditshme, por shpikja më e fundit sezonale e “Starbucks”-it ka pasur mjaft sukses.

Një filxhan i “Dark Barrel Latte” mbulohet me një shtresë kremi të bardhë, ka në përmbajtje shurup karameli dhe një përbërës tjetër, që i jep shijen e birrave të errëta irlandeze, si “Guinness”.

Por, kompania e njohur e kafesë garanton klientët se, pavarësisht kësaj shijeje të veçantë, “Dark Barrel Latte” nuk ka as edhe një pikë alkool.

Nisma është ende në fazë eksperimentale, ndaj drejtuesit e “Starbucks”-it, bashkë me filxhanin e ‘kafesë-birrë’ u ofrojnë klientëve edhe mundësinë e plotësimit të një formulari, gjithmonë sipas dëshirës, ku të sqarojnë nëse i pëlqen kjo pije, apo jo, dhe ndoshta të shtojnë dhe ndonjë sugjerim.

Edhe pse shumë e kanë pëlqyer, nuk mungojnë të zhgënjyerit, që thonë se është e çuditshme, e ndoshta dhe e parehatshme, të pish një kafe që duket si birrë. Në proces testimi janë ndërkohë edhe dy shije të reja të kafesë, të së njëjtës kompani, “mocha me qershi” dhe “kafeja me qumësht dhe shije lajthie e çokollate”.

Top Channel