Mossad nis “gjuetinë” për spiunë të huaj

22/09/2014 00:00

Është thuajse e zakonshme, që agjencitë e zbulimit të rekrutojnë oficerët e tyre online, por Mossadi i Izraelit ka shkuar më tej se sa kaq, duke kërkuar për agjentë lokalë dhe informatorë.

Izraeli, shtet i cili ka marrëdhënie të plota diplomatike vetëm me dy vende arabe, Egjiptin dhe Jordaninë, nuk ka ambasada nëpër vendet e tjera të Lindjes së Mesme që mund të shërbenin si informatorë për të, gjë që e ka bërë të nevojshme të shqyrtojë kanale të tjera rekrutimi.

“Të gjithë janë të mirëpritur, pavarësisht besimit, kombësisë apo profesionit, për të kontaktuar organizatën tonë ‘Mossad’, për të punuar për ne apo për t’u përfshirë në aktivitete, të cilat do të sillnin përfitime të mëdha personale”, lexohet në seksionin e përditësuar tashmë “Contact us” (Na kontaktoni) në faqen e internetit të Mossadit, i cili veç gjuhës hebraike dhe angleze, është i aksesueshëm edhe në arabisht, frëngjisht, rusisht apo persishtja moderne e Iranit (Farsi).

“Të jeni të sigurt se liria totale e veprimit dhe konfidencialiteti janë ndër prioritetet tona më absolute dhe qëndrojnë në bazën e lidhjeve tona”.

Duke qenë se, edhe në Egjipt e Jordani, ambasadat izraelite janë nën mbikqyrje të rënda, duke parë rrezikun që dhënia e informacioneve online apo edhe ndihmave mund të jenë shumë larg të qenit të sigurta, Mossad shton:

“Ju sugjerojmë të merrni në konsideratë nëse kompjuteri që jeni duke përdorur dhe vendndodhja juaj janë mjaftueshëm të sigurta. Do të ishte më e sigurt të plotësonit të dhënat tuaja, duke përdorur terma që nuk lidhen drejtpërdrejt me ju”.

Faqja me shkëlqim e internetit të Mossadit u krijua rreth një dekadë më parë për të rritur rekrutimin e oficerëve dhe analistëve, për shkak të konkurrueshmërisë gjithnjë e më të ashpër nga sektori hi-tech privat i Izraelit, që po shënon përparime. Në një video promocionale, një çift shfaqet teksa kalon nga misionet e fshehta të zbulimit te periudha e jetës familjare në shtëpi.

Gad Shimron, një ish-oficer terreni i Mossadit, i cili tashmë shkruan mbi marrëdhëniet e inteligjencës dhe ato ushtarake, tha se kjo sjellje e re “duket të jenë një përpjekje nga Mossadi për të tërhequr numrin maksimal të palëve të interesuara”.

“Nëse disa prej tyre rezultojnë si burime të vlefshme informacioni apo ndihme, edhe pse si zakonisht rreth 90% e tyre qëllojnë të padobishëm, kjo ende mund të jetë frytdhënëse”.

Top Channel