Valls: Franca nuk është “e sëmura e BE-së”

22/09/2014 00:00

Kryeministri francez Manuel Valls e ka shfrytëzuar vizitën e tij të parë në Berlin si kryeministër, gjatë së hënës, për të bindur Gjermaninë se qeveria e tij është më se serioze në përpjekjet për ta bërë ekonominë e saj më të konkurrueshme, duke deklaruar se Franca “nuk është fëmija e sëmurë e Europës”.

Kancelarja Angela Merkel lavdëroi hapat reformuese që ai nënvizoi, por tha se është në dorë të Komisionit Europian të gjykojë nëse Parisit duhet t’i jepet më shumë kohë për të ulur deficitin publik në kufijtë e traktateve të BE-së.

Zyrtarë të Bashkimit Europian dhe Bankës Qendrore Europiane janë duke ushtruar presion ndaj Francës, që të avancojë me reformat ekonomike dhe konsolidimin e buxhetit, ndërsa Gjermania të shtonë investimet publike si pjesë e strategjisë për të rigjallëruar ekonominë në stanjacion të eurozonës.

Por, Presidenti francez, tashmë aspak popullor, Francois Hollande, përjashtoi gjatë javës së kaluar mundësitë për të hequr kufizimin prej 35 orësh punë në javë, për të rritur pensionet apo për të shkurtuar pagën minimale, ndërkohë që ministri gjerman i Financave kundërshtoi presionin për të shpenzuar më shumë në infrastrukturë.

Pas një darke pune me Kancelaren konservatore, Valls tha gjatë një konference të përbashkt për shtyp se, Franca do të gjejë një rrugë për të rivalizuar progresin e Gjermanisë nga “i sëmuri i Europës”, rreth 1 dekadë më parë, për t’u bërë në motorrin e rritjes së eurozonës, për sa kohë Berlini mbështet thirrjet e francezëve për të rritur kërkesat.

“I kuptoj dyshimet dhe pyetjet e popullit gjerman, përfaqësuesve të tyre dhe shpesh herë edhe të shtypit, shumica e të cilëve thonë esencialisht ‘ne kemi vuajtur përmes reformave, ndërsa francezët nuk janë të aftë të bëjnë të njëjtën gjë. Dhe nëse nuk e bëjnë, kjo nuk është e mirë për Gjermaninë’…”, u shpreh kryeministri i Francës.

“Gjermanët i pëlqejnë francezët, kur ata mbajnë premtimet e tyre, ndërsa francezët i pëlqejnë gjermanët, kur ata përpiqen t’i kuptojnë ata”.

Merkel ishte komplementare në lidhje me përpjekjet e francezëve për të rikthyer konkurrueshmërinë e humbur dhe për të reduktuar shpenzimet, por tha se është në dorën e Brukselit për t’i vlerësuar këto përpjekje.

“Manuel Valls thjesht prezantoi axhendën e tij të reformave, ndaj mendoj se janë një numër impresiv masash, që Franca pritet të ndërmarrë, – tha Kancelarja. – I kam vënë re këto përpjekje të mëdha, por vlerësimi ndaj tyre jepet nga Komisioni Europian”.

“Franca ndodhet në një fazë shumë emocionuese, kur shumë reforma të cilat janë tepër të nevojshme dhe të domosdoshme janë duke ecur në rrugën e duhur, ndaj dhe mendoj se e gjithë Europa bie dakord me këtë”, shtoi ajo.

Top Channel