Blloku paszgjedhor i shqetësuar

22/09/2014 00:00

Liderët e koalicionit paszgjedhor LDK-AAK-NISMA dhe Vetëvendosje janë të shqetësuar që kryesuesja e seancës konstituive, Flora Brovina nuk e ka thirrur ende vazhdimin e kësaj seance.

Pas një takimi rreth dyorësh që kanë mbajtur në ambientet e Kuvendit, krerët e koalicionit paszgjedhor kanë kritikuar ashpër sjelljen e Brovinës dhe të PDK-së.

Ramush Haradinaj, kandidat i bllokut opozitar për kryeministër, ka thënë se nuk do ta presin pafundësisht Brovinën, duke paralajmëruar veprime alternative.

“Humbja e kohës në këtë mënyrë, abuzimi nga ana e zonjës Brovina dhe zaptimi, ashtu siç po e themi në vazhdimësi, i institucioneve të vendit, duhet të ketë një kufi. Koalicioni LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje këtë kufi do t’ia japin një ditë. Është detyrë e saj dhe e PDK-së të mos abuzojnë më tej me të drejtën që kanë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar se deputetët duhet të mblidhen në Kuvend dhe aty të gjejnë zgjidhjen, ashtu siç e parashikon pika 127 e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë, ai mbështet rolin e marrë së fundmi nga presidentja për të diskutuar zgjidhjen e ngërçit politik.

Në emër të LDK-së të hënën nuk ka folur kandidati për kryeparlamentar Isa Mustafa, por deputeti Ismet Beqiri, i cili u shpreh i bindur se shefi i tij do të arrijë të bëhet kryetar i Kuvendit.

“Aktualisht përqendrimi dhe fokusi ynë kryesor është që të gjejmë rrugëzgjidhjen. Dhe ne e kemi rrugëzgjidhjen dhe po presim që gjatë kësaj jave të bëhen konsultime dhe javën tjetër besoj se do të veprojmë. Se si do të veprojmë, do të veprojmë me fuqinë e votës. Kjo është e vetmja mënyrë që Kosova të dalë nga situata”, ka thënë Beqiri.

Kryesuesja e seancës konstituive, Flora Brovina ende nuk ka vendosur se kur do ta thërrasë vazhdimin e seancës për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Ajo ka thënë përmes telefonit për Top Channel se tani që presidentja ka marrë një iniciativë për gjetjen e një zgjidhjeje të ngërçit politik, nuk mund të thërrasë seancën pa u arritur më parë një marrëveshje.

Top Channel