10 gjërat që të huajt nuk dinë për Shqipërinë

22/09/2014 00:00

Papa Françesku mbërriti në Shqipëri të dielën në një vizitë 1-ditore, e para në një vend me shumicë myslimane dhe e katërta që prej marrjes së detyrës në krye të Kishës Katolike, pas Brazilit, Izraelit dhe Koresë së Jugut.

Me këto fjalë nis artikullin e tij në prestigjozen britanike “The Telegraph” gazetari Nick Squires. Pasi prezanton tolerancën fetare si unikale, gazetari lë mënjanë vizitën e Atit të Shenjtë dhe përpiqet të përcjellë për lexuesit britanikë ato që i quan “10 gjëra që mund të mos i dinë për vendin e vogël, ndoshta më të keqkuptuarin në Europë”.

Këto 10 gjëra janë të njohura për ne, por Nick Squires e adreson shkrimin e tij për një tjetër publik. Ai e nis me “Shqipërinë”, fjala që përdoret nga shqiptarët për “Albania”, më pas bën një përshkrim historik kur thotë se rrënjët e shqiptarëve shkon thellë ndër shekuj deri tek ilirët të cilëve u kanë trashëguar edhe gjuhën, që e ruajnë ende.

Më pas rrëfen shkurtimisht fjalët “Po” dhe “Jo” për “Yes” dhe “No”. E katërta për gazetarin është lidhja e ngushtë e Shqipërisë gjatë regjimit komunist me ish-Bashkimin Sovjetik dhe më pas me Kinën.

Në radhë të pestë vendoset rrëfimi i shkurtër për regjimin komunist i cili shpalli Shqipërinë si të parin vend në botë ateist. Këtu bëhet edhe një rezyme e krimeve të këtij sistemi ndaj klerit fetar, që nga vrasja e më shumë se 100 priftërinjëve dhe peshkopëve, internimi i shumë të tjerëve e deri tek shembja e mbi 2 mijë kishave dhe xhamive dhe shndërrimit të pjesës tjetër në salla kërcimi dhe kinema.

Së gjashti korrespondenti i “The Telegraph” radhit popullaritetin e Norman Ëisdom, aktorit të ndjerë britanik, filmat e të cilit ishin të vetmit të lejuara nga regjimi komunist. Nick e shpjegon këtë duke thënë se Norman në rolin e Pitkinit shihej si triumfim i klasës punëtore përballë shfrytëzuesve të tij, gjë që përshtatej me ideologjinë e luftës së klasave të asaj kohe.

Së shtati vendoset “bunkerizimi” i vendit. Në shkrim thuhet se regjimi ndërtoi më shumë se 750 mijë bunkerë anembanë vendit për t’u mbrojtur nga një pushtim që nuk mbërriti kurrë.

Në radhë të nëntë Nick Squires radhit Nënë Terezan. Ndoshta është shqiptarja më e famshme në botë, shkruan ai. Megjithëse ka lindur në Shkup, sot Maqedoni, prindërit e saj ishin shqiptarë.

Në fund në artikull kërkohet theksohet transformimi i madh shqiptar gjatë viteve të demokracisë duke marrë si shembull Tiranën. Dikur një qytet gri, pa ngjyra, por i transformuar nga ish-kryebashkiaku Edi Rama që urdhëroi ngjyrosjen e pallateve.

Top Channel