Gjiganti kinez i internetit, Alibaba, ka parë t’i rriten me një vlerë prej 25 miliardë dollarë amerikanë aksionet e tij në bursën e Nju Jorkut, duke shënuar kështu një rekord historik.

Ditën e premte, kur kompania e themeluar nga Jack Ma bëri dhe debutimin në Wall Street, kërkesat e investitorëve bënë që vlera e saj të arrinte në 92.7 miliardë dollarë, mbi 38 për qind më shumë se çmimi fillestar i saj prej 68 mld.

Kjo bëri që blerësit të blinin aksione shtesë, raportojnë mediat amerikane. Gjithashtu, kjo do të thotë se firma ka tejkaluar rekordin prej 22 miliardë dollarësh të regjistruar nga Banka Kineze e Agrikulturës në vitin 2010.

Në fund të ditës së premte, Alibaba kishte thyer disa rekorde, me një volum tregtar i cili që në minutat e para të hapjes së tregut kishte kaluar vlerën e aksioneve të Twitter.

Megjithatë, ka pasur edhe spekulime sa i përket përmasave të aksioneve të nxjerra në shitje. Sido që të jetë, Alibaba aktualisht vlen mbi 223 miliardë dollarë, më shumë se Facebook, Amazon dhe eBay.

Në kuadër të ofertës së aksioneve, blerësit u autorizuan të blinin 48 milionë dollarë aksione shtesë nga sa u ishte ofruar fillimisht investitorëve të jashtëm.

Shumë analistë kishin parashikuar se në rast se aksionet e web site-t do të kishin rënë nën çmimin fillestar, investitorët do të kishin zgjedhur të mos blinin aksione shtesë.

Por, duke qenë se aksionet e Alibaba debutuan me mbi 92 miliardë dollarë, shumë më lartë nga çmimi fillestar, investitorët nuk hezituan të ndërronin mendje.

Top Channel