Bubq, një ditë pas vizitës së Papës

22/09/2014 00:00

“Shoqata Betania ishte ndalesa e fundit e Papa Françeskut në Shqipëri. Gjatë ditës ishin të shumtë ata që patën mundësi ta shohin, e ndërkohë të tjerë patën fatin ta takonin. Bekoi disa fëmijë në sheshin “Nënë Tereza”, ndërsa së fundi bekoi edhe disa fëmijë në sheshin e shoqatës Betania. Sot, një ditë pas vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri do të marrim përshtypjet e fëmijëve të bekuar”.

70 fëmijë nga shoqata “Betania”, së bashku me 84 persona të tjerë me aftësi të kufizuara, takuan Papën në sheshin para kishës. “Krishti fiton” dhe “Virgjëresha hirplotë” ishin këngët, me të cilat fëmijët përshëndetën Atin e Shenjtë, ndërkohë që disa prej tyre morën edhe bekimin.

“Unë jam e kënaqur sepse dje erdhi Papa dhe unë i kam dhuruar Atij një pikturë. Iu afrova dhe ai më përqafoi, shpresoj mbarësi në jetën time”, thanë dy prej fëmijëve të lumtur.

Edhe pse është një ditë e re dhe emocionet dalëngadalë po i lënë vendin kujtimeve. Edhe pse Majlinda nuk arriti të merrte përqafimin e Papës, si Qëndresa dhe Mira, tregon me shumë emocion ato momente.

“Mendoj se kjo është një dhuratë, pasi dukej sikur Zoti kishte ardhur te ne. Kjo nuk është diçka që ndodh vazhdimisht, por këtë kujtim do ta mbaj përgjatë gjithë jetës”, shprehet Majlinda.

Ndërkohë, don Francesko është i lumtur, që gjithçka shkoi mirë dhe veçon një prej momenteve më të bukura.

“Mesazhi na ka pëlqyer jashtë mase. Por ndër të tjera do të veçoja një pjesë kur Ai tha se ‘E mira është një shpërblim në vetëvete’. Një njeri që vepron me dashurinë e Krishtit ndihet mirë”, thotë don Francesko.

Sot i janë kthyer sërish përditshmërisë, mësimit dhe lojrave në shoqërinë e njëri-tjetrit, me shpresën se ndoshta një ditë Papa do ta vizitojë sërish Shqipërinë.

Top Channel