Rockefeller, gjiganti i naftës ndryshon kurs

22/09/2014 00:00

Trashëgimtarët e familjes Rockefeller, që ngriti pasurinë e saj kolosale përmes naftës, do të shesin investimet e tyre në këtë fushë dhe do t’i riinvestojnë në energjinë e pastër.

Fondacioni Vëllezërit Rockefeller ka vendosur t’i bashkohet koalicionit të filantropistëve që janë angazhuar të heqin qafe asete të naftës me vlerë 50 miliardë dollarë.

Njoftimi vjen këtë të hënë, një ditë para se në selinë e OKB-së në Nju Jork të nisë punimet samiti për ndryshimet e klimës. Koalicionit i janë bashkuar rreth 650 individë dhe 180 institucione.

Ai është pjesë e një iniciative globale të quajtur Global Divest-Invest, që nisi të formohej në kampuset e universiteteve vite më parë, raporton “New York Times”.

Angazhimet e premtuara nga fondacionet e pensionistëve, grupet fetare dhe universitetet e mëdha raportohet të jenë dyfishuar nga fillimi i vitit 2014.

Drejtori i Fondacionit Vëllezërit Rockefeller, Stephen Heintz deklaroi se lëvizja për të çinvestuar nga bazat e naftës dhe për të investuar në energjinë e pastër është në linjë me dëshirën e manjatit të ndjerë të naftës, John D Rockefeller.

“Ne jemi mëse të bindur se nëse ai do të ishte gjallë sot, si një biznesmen vizionar që shihte drejt së ardhmes, ai do të lëvizte nga nafta tek energjia e rinovueshme”, deklaroi zoti Heintz.

Fondacioni u themelua në vitin 1940 nga djemtë e John D Rockefeller. Deri në 31 korrik 2014, asetet e naftës në të cilat kishte investuar fondacioni kishin një vlerë prej 860 milionë dollarë.

“Është detyrë morale të kujdesemi për një planet të shëndetshëm”, tha nga ana tjetër Valerie Rockefeller Wayne, stër-stër-stërmbesë e zotit Rockefeller dhe administratore e besuar e fondacionit.

Një samit për ndryshimet e klimës pritet të nisë punimet të martën në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, me pjesëmarrjen e 125 krerëve të shteteve dhe qeverive.

Top Channel