Udhëtimi përmes Brarit, Zall Dajtit, Kodër Shupalit, Zallbastarit, Bastarit e fshatit Kaçu, duket si një kthim pas në kohë.

Jemi vetëm pak kilometra nga Tirana, por asgjë nuk të bën të kuptosh përveç pozicionit gjeografik në hartë, se këto zona i përkasin pikërisht kryeqytetit. Gjurmët e rrugës së Arbërit, që duhet të prekë këtë zonë, humbin shpejt, ndërsa rruga, një shteg i stisur, dredhon sipërmi.

“Nga lartësia e qafës së Murrizit mund të shikosh edhe pallatet shumëkatëshe të kryeqytetit, e po ashtu nga i njëjti vend, në krahun tjetër, mund të shikosh edhe qafën e Buallit, që i paraprin qytetit të Bulqizës. Nga ky vend duhet të kalojë rruga e Arbërit, që do të bashkonte të gjithë këtë zonë. Në fakt, sot kjo është një pikë kufitare, një pikë ndarëse, që mban të izoluar dhjetra fshatra, një zonë të tërë, mes tyre edhe fshatin e Xibër Murrizit, që sot për kilometra duhet të ishte një lagje e kryeqytetit, por në fakt ndodhet pafundësisht larg tij”.

Rruga në zbritje është edhe më e vështirë se ngjitja, aq sa hera-herës duket se një gabim i vogël mund të të flakë poshtë në humnerë.

Xibër Murrizi, me rreth 900 banorë, ngrihet i shpërndarë në të gjithë terrenin e thyer të zonës. Zyrtarisht ndodhemi vetëm 27 apo 28 kilometra nga kryqyteti, edhe pse na është dashur rreth dy orë e gjysmë për të mbërritur këtu.

“Ne, edhe me këtë periudhë, dmth pa ardhur dimri, vetëm me shira, përdorim zinxhirët, sepse nuk del makina fare”, shprehet Idajet Velsula.

“Dy orë në këmbë, 1 orë me makinë. Ku të shkojmë, ngelet makina kur bie borë. Shumë vështirë të vijmë në Tiranë”, thotë Aqif Tahiri.

Fshati, tokat i ka të pakta. Ato llogariten jo më shumë se 5 dynym për familje, e që banorët i mbjellin me domate, patate, misër apo fasule, duke marrë një prodhim të mjaftueshëm vetëm për përdorim personal. Edhe ata që kanë diçka më shumë, e kanë të vështirë, për të mos thënë të pamundur, ta tregtojnë diku.

“Me nga një lopë, me nga tre-katër të imta, me atë pak tokë që kanë, prodhojnë domate, patate, vendi është prodhues, por s’ka ujë vaditës. Nuk ka ku të çosh mallin, dëmtohet ta marrësh 1 orë ta transportosh me kafshë, ta nxjerrësh te makina, plus të shkosh dy orë deri në treg. Atje nuk ke mbështetje, se nuk të le kush të sistemohesh në asnjë vend, sepse je i ardhur prej rruge edhe tallen, ka raste që del, por vjen policia e mallin ta hedh në asfalt, ngelesh i mjeruar”, thotë Halil Diku.

Edhe ata që merren me blegtori nuk e kanë më të lehtë, përkundrazi…

“S’ka për t’i llogaritur fare. Shet një viç 400-500 mijë lekë, 4-5 qingja, pak tokë, këto janë të ardhurat tona. Me atë viç, nëse i marr 500 mijë lekë, unë e zëmë 100 mijë lekë i dua në muaj, ja shkoj 4-5 muaj, po muajt e tjerë? Pra me një viç të shitur, duhet të jetoj 1 vit”, thotë Gani Dalipi.

Për të kuptuar gjendjen e vështirë ekonomike, mjafton të ndalesh në një prej pikave të tregtimit në fshat, nëse mund të quhet vërtet kështu. Dertet e borxhet kanë mbytur jetët e banorëve.

“Këtu unë jam me fletore, kam lista, lista prej 20 vjetësh. Është shumë e vështirë, që nuk vijnë me ato lekë”, shprehet Halil Beshiri.

Shtëpive u ndihet pesha e kohës e kjo sepse, edhe nëse duan të restaurojnë diçka, duhet të paguajnë shumëfish sjelljen deri në fshat të mjeteve të nevojshme. Një kamion me rërë kushton jo më shumë se 3 mijë lekë, ndërsa për ta sjellë deri në fshat plot 20 mijë, e po kështu me tjegullat, me tullat, gurët a shumëçka tjetër.

“Edhe xhenazet, kur na vdesin njerëzit në spital, nga gropat dhe nga rruga që është kështu pa vënë dorë, u plas hemorragjia. Leji të tjerat, se nuk ke ç’i përmend fare”, tha Mehmet Sula.

Vetë banorët, kohë më parë, kanë vënë një pjesë të shtyllave të energjisë e transformatorin, ndryshe, edhe sot do të ishin në terr, nëse gjithçka do të kish mbetur në dorë të strukturave përkatëse. Fundja ata këtu nuk ekzistojnë, apo më mirë duken si një vegim i largët.

“Nuk kemi asnjë farmaci për të marrë një medikament të vogël, vuajmë. Fshati ynë është shumë i varfër, përkrahemi me ndihmë ekonomike shumë të ultë, pensioni gjithashtu i ulët”, shprehet Beqir Beshiri.

Fshatit, që duhej të ishte një pjesë e lagjeve të Tiranës, – kilometrat të paktën e imponojnë këtë, – problemet nuk i mbarojnë kurrë. Përkundrazi, ato duken po aq të larta sa edhe qafa e Murrizit, që i mban të ndarë nga pjesa tjetër.

Banorët tashmë presin me sytë nga rruga e Arbërit, ajo është shpresa e tyre e vetme, ashtu si për të gjithë zonën që ky aks do të prekë. Në një rast tjetër, Xibër Murrizi me natyrën e njerëzit e tij do të ishte një vend turistik, një oaz i vogël me natyrë të paprekur, shumë afër Tiranës së betonit, e megjithatë deri më sot kryeqyteti është larg, ndërsa Xibër Murrizi merr frymë i izoluar aty pas.

Top Channel