Një nga sheshet e qytetit bregdetar të Durrësit, që nga dita e sotme, do të mbajë emrin “Selaniku” në nderim të miqësisë dhe bashkëpunimit që ka nisur mes dy qyteteve.

Po të hënën, Bashkia e Durrësit i ka dorëzuar edhe titullin “Qytetar Nderi” kreut të Bashkisë së Selanikut Janis Butaris i cili u shpreh i bindur në forcimin e marrëdhënieve mes dy qyteteve.

“Falenderoj kryetarin e Bashkisë, qytetarët e Durrësit që më bënë këtë nder dhe më dhanë këtë titull. Kryetari Dako iu referuar lidhjeve mes qytetit të Durrësit dhe Selanikut gjatë gjithë historisë. Detyrë e dy qyteteve është që t’i bëjmë këto lidhje sa më të ngushta, sa më të forta që qytetet tona të bëhen sa më të forta dhe të dukshme në zonën e Ballkanit”, tha kreu i Bashkisë së Selanikut, Janis Butaris.

Një vit më parë, sheshit përballë stacionit të trenit në Selanik iu vu emri “Durrësi-Shqipëria”, gjë që ngjalli reagime të forta nga ekstremistët grekë dhe protesta kundër kryebashkiakut Butaris i cili tha se sa herë të dëmtohet pllaka me emrin e sheshit, po aq herë do të rregullohet për të përjetësuar marrëdhëniet e mira mes dy popujve tanë.

Edhe kryebashkiaku Vangjush Dako vlerësoi miqësinë mes dy qyteteve të lidhura që në lashtësi nga rruga Egnatia dhe projektet e përbashkëta në dobi të zhvillimit dhe të qytetarëve të Durrësit dhe Selanikut.

“I vëmë këtij sheshi emrin e Selanikut, qyteti është është kryeqendër e kulturës ballkanike dhe europiane, zemra e Epirit dhe porta e Egjeut, metropol i lashtësisë dhe i referencës së Greqisë. Ndaj duke iu bazuar asaj që na ka dhënë historia dhe pozita gjeografike, atyre raporteve që na lidhin, unë jam i lumtur të kem nga sot emrin e këtij qyteti në këtë vend. Ftoj mikun tim, bashkëqytetarin tonë të vyer nga sot, Janis Butaris të zbulojmë së bashku pllakatën me mbishkrimin e sheshit”, tha Dako.

Në Selanik jeton një komunitet prej 70 mijë emigrantësh shqiptarë të mirintegruar në jetën e qytetit dhe që ndjehen të vlerësuar nga marrëdhëniet e vendosura dhe mbrojtja e tyre nga kryebashkiaku Butaris i cili deklaroi se është me origjinë nga Voskopoja.

Top Channel