Algjeri, merret peng francezi, dyshohet nga ISIS

22/09/2014 00:00

Vetëm pak orë pasi militantët e Shtetit Islamik paralajmëruan se do të vinin në shënjestër edhe Francën, pasi Parisi nisi sulmet ajrore ndaj tyre në Irak, erdhi edhe pengmarrja e parë e një francezi nga ky grup ekstremistësh në Algjeri, këtë të diel, siç njofton Ministria e Jashtme franceze.

“Një bashkëkombas francez është marrë peng të dielën në Algjeri, në rajonin e Tizi Ouzout, teksa ishte atje për pushime”, ka thënë zv/zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Alexandre Georgini në një deklaratë. “Askush nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë e kësaj pengmarrjeje”.

Më herët gjatë së hënës, zëdhënësi i Shtetit Islamik, Abu Muhammad al-Adnani, u kërkoi ndjekësve të ISIS të sulmojnë shtetas amerikanë, francezë dhe vendeve të tjera, të cilat i janë bashkuar koalicionit për të shkatërruar grupin ultra-radikal.

Nëse është kryer nga militantët e ISIS, pengmarrja do të ishte rrëmbimi i parë i të huajve nga këta militantë në vendet e Afrikës Veriore, që kur Algjeria i dha fund luftës dhjetëvjeçare me luftëtarët islamik në vitet 1990.

Zona ku është marrë peng francezi është një rajon malor, që ka qenë dikur bastion i luftëtarëve islamik. Atje ka pasur disa pengmarrje që kanë pasur për objektiv biznesmenë algjerianë për zhvatje, por shumica e tyre janë liruar nga forcat e sigurisë.

Dega e al-Qaedas në Afrikën Veriore (AQIM) dhe grupe të tjera terroriste janë ende aktive në Algjeri.

Franca, e cila rriti nivelin e kërcënimeve gjatë së hënës ndaj 30 prej ambasadave të saj në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, të premten kreu sulmet e para ajrore me objektiv vendndodhjet e militantëve të Shtetit Islamik në Irak, si dhe tha se do të bëhej gjithçka e nevojshme për të liruar rajonin nga ky grup.

Top Channel