“Shqip” hap ciklin e emisionive kushtuar Çlirimit

22/09/2014 00:00

Edhe pak javë na ndajnë nga 29 nëntori, kur vendi feston 70-vjetorin e Çlirimit një ndër periudhat historike të vendit tonë që ka shkaktuar dhe po shkakton debat mbi mënyrën e trajtimit të saj duke ndarë jo vetëm klasën politike, por edhe vetë historianët.

Kushtuar kësaj teme emisioni “Shqip” me gazetaren Rudina Xhunga nisi nga Muzeu Kombëtar një cikël emisionesh kushtuar kësaj lufte.

Këtë javë të ftuar ishin Drejtori i Muzeut Melsi Labi, veterani i Luftës Nacional-Çlirimtare, Rrahman Përllaku dhe historianët Romeo Gurakuqi dhe Paskal Milo.

I pari që mori fjalën ishte veterani Përllaku që shprehu shqetësimet se si këtë përvjetor, të paktën deri më tani, shoqatat e veteranëve janë përjashtuar nga organizimi i festimeve të këtij 70-vjetori.

“Këtë vit jemi mënjanuar nga komisioni për përkujtimin e 70-vjetorit të Çlirimit të atdheut. I jemi drejtuar institucioneve, Ministres, Kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, por nuk mora përgjigjje. Më priti kreu i Kuvendit që më dëgjoi. Takova zotin Peleshi që më priti mjaft mirë, nuk pati asgjë, por nuk qe në gjendje të më japë përgjigje përse nuk jemi në komision”, tha ai.

Historiani Paskal Milo shkoi akoma më tej duke e cilësuar mungesën e ftesës në komision të veteranëve si të turpshme, madje shtoi se një tjetër mangësi e këtij komisioni të ngritur është edhe mungesa e një historiani.

“E quaj të padrejtë që një organizatë veteranësh nuk është e ftuar në një komision shtetëror për të përgatitur 70-vjetorin e Çlirimit. Unë personalisht nuk jam, por të paktën të kishte një historian tjetër. Komisioni nuk ka asnjë historian. Flasim për historinë e luftës, por nuk ka historian. Ata që kanë vendosur këtë komision duket që kanë çaluar në punën e tyre, por urojmë që t’ia dalin mbanë në festimet”, tha Milo.

Hisotriani Romeo Gurakuqi tha se kjo periudhë e historisë duhet trajtuar me kujdes dhe ka nevojë për rishikime të thella. Ai tha se nuk mund të ndahet lufta çlirimtare nga Lufta e Dytë Botërore, ndërsa vuri theksin tek trajtimi dhe studimi i asaj që ndodhi më pas. “Lufta ishte një rezistencë mbarëpopullore dhe nuk ishte luftë vetëm e diktatorit”, deklaroi ai duke theksuar se duhen rehabilituar dhe të vendosen në Muze figurat historike të luftës të frontit tjetër.

Paskal Milo pranoi që ka nevojë për rishikim, ndërsa tha se kryesorja është të qendrohet larg politizimit të çështjes. Ai u shpreh kundër ndarjes së Luftës së Dytë Botërore nga Lufta Nacional-Çlirimtare.

“Nëse e ndajmë historinë anti-fashiste të popullit shqiptar, e copëzojmë në të komunistëve, ballistëve dhe zogistëve, atëherë ne nuk kontribuojmë për historinë”, u shpreh ai.

Drejtori i Muzeut Kombëtar tha se për vetë kohën kur ka ndodhur dhe vetë pozitën gjeografike të Shqipërisë e rrethanave të saj, lufta çlirimtare është e një rëndësie të veçantë dhe meriton të festohet.

Historiani Gurakuqi tha se përveç luftës së shqiptarëve ka qenë edhe një tërheqje strategjike e forcave gjermane për shkak të rrjedhës së Luftës së Dytë Botërore. Ai u ndal më shumë tek ajo që ndodhi pas largimit të trupave naziste.

“Pas këtij momenti në Shqipëri u instalua një diktaturë e ashpër duke nisur nga data 29 nëntor 1944. Në Shqipëri, sidomos në veri u eleminua e gjitha klasa intelektuale. 29 nëntori shkatërroi në mënyrë të pakthyeshme ekuilibrat socialë dhe ekonomikë të shoqërisë”, tha ai.

Veterani i luftës, Rrahman Përllaku tha se festa është kombëtare dhe se shoqata që ai përfaqëson do përpiqet të shmangë karakterin partiak të saj.

“Lufta nacional-çlirimtare dhe diktatura janë dy gjëra të ndryshme. Unë kam përkujtuar ngjarjet e luftës, të figurave historike të kësaj lufte duke përfshirë edhe elementët e Ballit Kombëtar. Ka qenë Gani Kryeziu, Muharrem Bajraktari. Vlerësimet duhet t’i bëjmë ashtu sic janë. Lufta është e lavdishme”, tha ai.

Gurakuqi  vlerësoi se për herë të parë nga një dëshmitar i kohës përmendet kontributi pozitiv i Muharrem Bajraktarit dhe Gani Kryeziut. “Kjo është një gjë që duhet zhvilluar më tej nga historianët”, tha ai.

Drejtori i Muzeut pranoi që ka nevojë për ndërhyrje në këtë pjesë. “Ka një lëvizje këto kohë për të rikonceptuar Muzeun për të paraqitur të zhveshura nga ana emocionale dhe të pandikuar nga vite të caktuara të historisë një sërë figurash historike”, deklaroi ai.

Pjesa e dytë nisi me një paraqitje të pasurive të Muzeut Kombëtar të sendeve të personazheve që bënë historinë e luftës. Drejtori Labi tha se rifreskimi i fundit i muzeut ka ndodhur në vitin 2009, ndërsa shtoi se ka nevojë për një plotësim dhe rikonceptim të të gjithë muzeut.

Pas kësaj fjalën e mori historiani Paskal Milo. Ai tha se për vetë natyrën e saj, historia rishkruhet dhe ka nevojë të rishkruhet. “Historia duhet rishkruar. Kanë dalë fakte të reja, ka fakte të reja për figura të luftës”, tha ai.

Romeo Gurakuqi u ndal tek nisma e autoriteteve për të vendosur që rishkrimin e historisë së Luftës së Dytë Botërore ta bëjë historiani Fisher. “Fisher është një historian i madh që ka shkruajtur një histori të mirë, por problemi nuk qendron këtu, por tek mbështetja që qeveria duhet të japë për institucionet vendase. Kemi një institucion të tërë që punon për historinë e luftës së dytë. Sot është impostuar jo nga problemi i parë, por nga bërja e tekstit të fëmijëve, jo nga hapja e arkivave dhe fakteve të reja. Duhet kujdes me atë çfarë ndodhi më pas 29 nëntorit që dijmë ta festojmë si moment lirie, apo si moment reflektimi”, tha ai.

Milo kundërshtoi duke deklaruar se më 29 nëntor shqiptarët nuk u çliruan se u tërhoqën gjermanët.  

“Më 29 nëntor shqiptarët nuk arritën lirinë thjeshtë se ikën gjermanët. Ky është një koncept i gabuar, përmbys gjithë kontributin e shqiptarëve dhe dëshmorëve që derdhën gjakun për 29 nëntor. Gjaku i dëshmorëve nxorri faqebardhë shqipëtarët se përndryshe nëse nuk do të ishte kjo luftë do të ishim me vendet e mundura, krahas Bullgarisë, Hungarisë dhe do na kishin coptuar”, tha Milo.

Për veterani Përllaku data e çlirimit nuk ka shumë rëndësi. Ai u ndal më pas tek ajo që ndodhi pas çlirimit. “Enver Hoxha vrau heronjtë e luftës”, tha ai. Milo tha se këto figura, të pushkatuara, burgosura apo të internuara nga regjimi duhet të rehabilitohen dhe të marrin vendin që u takon në këtë pjesë të historisë tonë.

Edhe Gurakuqi  i mëshoi asaj që ndodhi më pas. “Duke nisur nga nëntori me prishjen e Marrëveshjes së Mukjes dhe shpalljen e luftës civile, lufta e Enver Hoxhës nuk është drejtuar vetëm ndaj okupatorit, por ndaj të gjithëve. Vetë Hoxha ka foluir për këtë duke e pranuar dhe gjatë luftës ka patur përballë jo vetëm okupatorët, por edhe legalitetin, ballin kombëtar dhe gjithë të tjerët”, tha ai.

Gurakuqi theksoi se duhet të sqarohet roli i komunistëve jugosllavë në Shqipëri, roli i komunistëve shqiptarë në vrasjen dhe dëbimin e mijëra shqiptarëve të Kosovës në Prizren apo nënshtrimi i Malësisë.

Nga ana tij, Milo tha se së shpejti do të dalë në treg me një libër me dy vëllime ku janë hedhur edhe disa fakte të reja të dala në dritë mbi figurën e Enver Hoxhës, rolin e komunistëve jugosllavë dhe Marrëveshjsë së Mukjes. Milo tha se ka patur periudha të luftës kur balli kombëtar dhe legaliteti kanë bashkëpunuar me pushtuesit.

Gurakuqi mohoi këtë duke thënë se legaliteti nuk ka bashkëpunuar asnjëherë me pushtuesit, ndërkohë që janë regjistruar disa bashkëpunime të strukturave të ballit, por pa miratimin e shtabit të përgjithshëm.

Top Channel