“Korridori jugor” i gazit, Gjiknuri: Përfitime të menjëhershme

23/09/2014 00:00

Në Azerbajxhan iu dha udhë nisjes zyrtare të punës për ndërtimin e “korridorit jugor” të gazit, pjesë e të cilit është dhe gazsjellësi “Trans-Adriatik”. Përfaqësuesi i Shqipërisë atje ishte ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, i cili më pas udhëtoi për në Kiev të Ukrainës për një tjetër aktivitet të rëndësishëm.

Në një lidhje telefoni në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” ministri Gjiknuri e vlerësoi edhe një herë si tepër të rëndësishme “korridorin jugor” të gazit, i cili sipas tij, përveç furnizimit me gaz do të ketë edhe përfitime të tjera.

Zoti Gjinuri u shpreh se që prej fillimit të vitit tjetër do të ketë një investim mbi 80 milionë dollarë në infrastrukturën rrugore ku do të kryhen punimet. Gjithashtu ai shtoi se mbi 3000 persona do të angazhohen direkt në punimet për ndërtimin e gazsjellësit.

Pandi Gjata: Çfarë është “korridori jugor” i gazit dhe sa mendoni se do të zgjasin punimet për të?

Damian Gjiknuri: Tashmë dihet që “korridori jugor” i gazit është një mundësi për të ndihmuar në furnizimin me gaz të Bashkimit Europian dhe të vendeve të tjera ku kalon ky tubacion. Kjo ka një interes shumë të madh për BE-në dhe një interes gjeopolitik, për faktin se BE krijon një rrugë alternative furnizimi. Kjo bëhet edhe më e rëndësishme sidomos pas konfliktit mes Ukrainën dhe Rusisë, i cili ka vënë në pikëpyetje sigurinë energjetike të BE-së. Korridori do të kalojë në Gjeorgji, në Turqi, Greqi, Shqipëri nga ku do të shkojë në Itali. Në këtë aktivitet u konfirmua edhe një herë interesi i Bullgarisë për të krijuar lidhje me këtë korridor, për t’u shkëputur nga varësia ruse e gazit. Ky korridor hap mundësi edhe për degëzimin me rrjetin ekzistues të BE-së.

Pandi Gjata: Sa është parashikuar të zgjasin punimet?

Damian Gjiknuri: Është parashikuar që punimet të përfundojnë në vitin 2019. Si gazsjellës, ky është projekti më i madh i ditëve të sotme. Është shumë kompleks, por shumë i rëndësishëm. Për Shqipërinë do të ketë përfitime imediate, duke nisur që prej fillimit të vitit tjetër do të ketë një investim mbi 80 milionë dollarë në infrastrukturën rrugore ku do të kryhen punimet. Më vonë do të fillojnë edhe investimet masive, ato të kompresorëve, të shtrimit të tubacioneve.

Pandi Gjata: Besoj që do të ketë edhe hapje vendesh të reja pune. Sa parashikohet të jetë ky numër?

Damian Gjiknuri: Nga një vlerësim i bërë nga konsulentë të pavarur bëhet fjalë për disa mijëra. Rreth 3000-4000 mijë persona do të angazhohen direkt. Ne si qeveri kemi insistuar shumë që kompanitë shqiptare, sidomos për pjesën e punimeve teknike, të kenë një rol aktiv, të jenë nga kontraktorët kryesorë. Tashmë kompanitë tona e kanë eksperiencën dhe për këtë nuk do të na vinte mirë që kjo të administrohej nga kompani të huaja.

Pandi Gjata: Nga Azerbajxhani keni mbërritur në Kiev të Ukrainës për një tjetër aktivitet të rëndësishëm energjetik. A mund të na thoni rëndësinë e këtij aktiviteti?  

Damian Gjiknuri:
Është mbledhja e ministrave të Komunitetit të Energjisë të vendeve të cilat synojnë të jenë anëtare të BE-së. Komuniteti i Energjisë është një degë e BE-së e ngritur posaçërisht për afrimin e legjislacionit dhe për integrimin e tregjeve të Europës Lindore dhe më gjerë, drejt tregjeve europiane. Në këtë mbledhje, Shqipëria pritet të marri edhe kryesimin e radhës, i cili do të jetë një proces shumë interesant për ne, pasi jemi në fillimin e reformave më të rëndësishme në sektorin energjetik pas mbylljes së konfliktit me CEZ.

Top Channel