Videoja e dytë, pengu britanik: Obama nuk del i fituar nga kjo luftë

23/09/2014 00:00

Luftëtarë të Shtetit Islamik, të cilët luftojnë në Irak dhe Siri, kanë lëshuar një video të dytë gjatë së martës, ku shfaqet gazetari britanik John Cantlie, i cili kritikon përgatitjet për sulmet e udhëhequra nga Amerika ndaj grupit të militantëve.

Lajmi është raportuar nga shërbimi monitorues SITE. Shteti Islamik, që kontrollon pjesë të mëdha të territorit në Siri dhe Irak, ka ekzekutuar deri më tani dy gazetarë amerikanë dhe një punonjës ndihmash vullnetare britanik gjatë javëve të fundit, në atë që konsiderohet si kundërpërgjigje ndaj sulmeve ajrore të SHBA-ve ndaj objektivave të tyre në Irak.

Në videon 5-minutëshe, personi i identifikuar si Cantlie i sugjeron Presidentit Barack Obama, tepër i kudjesshëm deri më tani për të shmangur përfshirjen nëpër konflikte siç nxiste paraardhësi i tij George W. Bush, se është futur në një luftë të cilën ai nuk do ta fitojë, raporton SITE.

“Presidenti fillimisht e konsideroi konfliktin e nisur në Irak nga George W. Bush si ‘luftë memece’ dhe u përpoq ta distanconte Amerikën nga ajo luftë sapo erdhi në pushtet. Tashmë, ai po i rikthehet pazgjidhshmërisht asaj”, shprehet në video i identifikuari si Cantlie.

Personi, i cili mban veshur një bluze portokalli dhe flokët thuajse të qethura shkurt, e përshkruan Shtetin Islamik si “lëvizjen më të fuqishme xhihadiste të parë në histori”, duke shtuar se nuk dëmtohet aspak nga politikanët amerikanë, që e quajnë atë “të neveritshme”.

Videoja duket se është regjistruar përpara sulmeve të kësaj mesnate, të nisura nga avionët luftarakë amerikanë dhe ato të partnerëve arabë ndaj objektivave të Shtetit Islamik në Siri.

Duke përdorur termin e “luftëtarit të shenjtë”, personi i identifikuar si Cantlie thotë se “Asnjëherë, pas Vietnamit, nuk kemi qenë dëshmitarë të një potenciali kaq të madh rrëmujash të kryera ndonjëherë. Vlerësimet e deritanishme se nevojiten rreth 15 mijë trupa për të luftuar Shtetin Islamik janë qesharake dhe tepër të ulta. IS ka më shumë muxhahedinë se sa mendoni ju. Kjo lëvizje nuk është një përzierje e padisiplinuar e pajisur me disa kallashnikovë”.

Top Channel