Greqia paralizohet përsëri nga një grevë e përgjithshme 24-orëshe e sektorit shtetëror, e pesta brenda 9 muajve të këtij viti.

Shkaku kryesor i grevës është se një gjykatë e shkallës së parë në Athinë ka vendosur, që organi i Konfederatës së Nëpunësve të këtij sektori, të mos marrë pjesë në vlerësimin e ri të punonjësve të administratës, që ka shpallur qeveria, si pjesë e domosdoshme e reformave të kërkuara nga kreditorët e Greqisë.

Si pasojë e këtyre reformave, gjatë dy viteve të fundit janë pushuar nga puna në administratë, të paktën 8000 nëpunës, dhe priten të largohen deri në Dhjetor mbi 5000 të tjerë, ndërkohë që administrata shtetërore në Greqi është shkurtuar në katër vitet e fundit me gati 33%.

Në grevën e sotme marrin pjesë gjithë nëpunësit e sektorit shtetëror dhe atij publik, mësuesit e arsimit të ulët dhe të mesëm, spitalet punojnë me personel sigurie, ndërsa nëpunësit e transportit dhe të shërbimit urban do të ndërpresin punën për disa orë të ditës.

Vetëm disa orë para grevës, ministri grek i Reformës Administrative, Kiriakos Mitsotakis, ka paraqitur në Parlament një projektligj të ri, sipas të cilit nëpunësit e rinj që do të fillojnë punën në sektorin shtetëror do të kenë si pagë fillestare nga 580 deri në 780 euro, në bazë të arsimit përkatës, ndërsa qeveria do të ketë të drejtë, që me anë të procesit të vlerësimit mund të pushojë nga puna një nëpunës brenda dy vitesh dhe të marrë dikë tjetër.

Top Channel