Zbardhen përgjimet e çiftit që fuste në kurth biznesmenët

23/09/2014 00:00

Zbardhen përgjimet e prokurorisë ndaj një çifti në Tiranë që kishte
joshur seksualisht një biznesmen dhe më pas me anë të shantazhit i kanë
marrë 8.7 milionë lekë. Bëhet fjalë për Elinela dhe Niko Smaqin, të
cilët janë lënë në “burg pa afat” nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

Nga kallëzimi përkatës dhe përgjimet e realizuara, ka rezultuar se bashkëshortët Smaqi, që prej vitit 2010, i kanë marrë biznesmenit B.Sh., 8.7 milionë lekë me anë të gjobëvënies dhe kanosjes. Për të blerë heshtjen dhe sigurinë ndaj jetës, i dëmtuari i ka dhënë çiftit Smaqi kursimet e jetës dhe në disa raste ka marrë para borxh.

Ndonëse Niko ishte në burg, sa herë që merrte leje të veçantë, takohej dhe kërcënonte të dëmtuarin, për t’i marrë sasi të tjera parash. Çifti Smaqi, rreth 4 vite më parë, ishte njohur me prenë e tyre dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin planifikuar që ta fusnin në kurth.

Pas dy–tri takimeve, në bazë të planit kriminal, Elinela Smaqi ka joshur seksualisht të dëmtuarin dhe falë hapësirave të krijuara me dashje nga bashkëshorti i saj, Niko, janë takuar me njëri-tjetrin në një motel në zonën e Laprakës. Pas kapjes në flagrancë, gjobëvënësi ka kërcënuar me vdekje të dëmtuarin, me argumentin se ishte shoqëruar me bashkëshorten e tij, duke e turpëruar atë. Gjithashtu, ai i ka thënë biznesmenit, se raportin intim me Elinelën do t’ia tregonte nuses dhe fëmijëve të tij.

Pasi i dëmtuari është ndier i kërcënuar si për jetën dhe harmoninë në familje, Niko Smaqi i ka kërkuar para si shpagim, për veprimin e kryer, me kusht që ta linte të qetë atë dhe familjen e tij. I dëmtuari, edhe pse e ka kuptuar se ishte viktimë e një kombinacioni të çiftit, me qëllim që të shmangte kërcënimet për jetën dhe shantazhet ndaj familjes, ka filluar t’i japë gjatë periudhës 2010-2012 sasi të konsiderueshme parash sipas kërkesave të çiftit. Nga fundi i muajit maj të këtij viti, Smaqi takon të dëmtuarin dhe i kërkon t’i marrë sërish nëpërmjet kërcënimit dhe shantazhit edhe një sasi tjetër prej 17 milionë lekësh të vjetra. Ndonëse gjobëvënësi ishte në burg për veprën penale të vjedhjes me dhunë, ai vijonte që të zhvaste prenë e tij, pasi sa herë që merrte leje të veçantë, e kontaktonte për t’i kërkuar para të tjera. Meqenëse ai vetë ishte në burg, ka kërkuar që lekët t’ia dërgonte në shtëpinë private të vjehrrit në rrugën “Don Bosko”, Tiranë. Kur B.Sh. shkon për të takuar vjehrrin, ky i fundit i kërkon paratë sipas bisedës së bërë me Nikon. Biseda mes tyre është regjistruar nga prokuroria. Më 2 shtator 2014, Smaqi merr sërish leje nga burgu dhe kontakton me të dëmtuarin për ta takuar më 3 shtator. Gjatë takimit nga bisedat e përgjuara, rezulton se Niko Smaqi kërcënonte dhe shantazhonte të dëmtuarin. E njëjta gjë ndodh edhe në takimin e datës 4 shtator, por Smaqi konstaton se bisedat mes tyre po përgjoheshin. Pak orë pas këtij takimi, gjobëvënësi e kërcënon me anë të një mesazhi në telefonin e tij. “Je bo shum i zgjut, me përgjus i hike ati, qa i ke bo vetes”, mësohet se është shkruar në mesazh. Po ashtu, prokuroria ka përgjuar bisedën mes Elinelës dhe biznesmenit më 15 shtator gjatë një takimi të zhvilluar midis tyre në një lokal në Tiranë. Nga përmbajtja e bisedës konfirmohen deklarimet e të dëmtuarit, të cilat lidhen me provokimin e Elinelës e pastaj marrjen e parave për këtë shkak.

Top Channel