Fjalimi i lamtumirës, Karzai sulmon SHBA dhe Pakistanin

23/09/2014 00:00

Presidenti në largim i Afganistanit, Hamid Karzai, fajësoi gjatë së martës Shtetet e Bashkuara për luftën e gjatë të vendit të tij, një “shuplakë” e fundit kjo ndaj vendit që e ndihmoi të vinte në pushtet 13 vjet më parë, por ndaj të cilit ai ka hedhur gjithnjë e më shumë kritika.

Fjalimi i lamtumirës së tij vjen disa ditë përpara betimit të planifikuar të Presidentit të ri Ashraf Ghani, pas muajsh të tërë krize të dhunshme për shkak të zgjedhjeve të diskutueshme, të cilat përfunduan me një marrëveshje për ndarje të pushtetit, e cila ende duhet testuar, me rivalin e tij Abdullah Abdullah.

Karzai fajësoi si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe fqinjin Pakistan, për luftimet e vazhdueshme të kryengritjeve të udhëhequra prej talebanëve, si dhe paralajmëroi se qeveria e re duhet të jetë “tejet e kujdesshme në marrëdhëniet me SHBA-të dhe Perëndimin”.

Nga konflikti kanë mbetur mijëra afganë të vdekur çdo vit, duke mos harruar edhe humbjen e jetëve të më shumë se 2200 amerikanëve dhe forcave të tjera ndërkombëtare në Afganistan.

“Një prej arsyeve ishte se amerikanët nuk donin paqe, sepse ata kishin axhendën e tyre dhe objektivat e tyre”, tha Karzai. Ai nuk dha detaje të mëtejshme, por në të kaluarën ka sugjeruar se dhuna e vazhdueshme ka qenë një justifikim për Shtetet e Bashkuara që të ruajnë bazat e tyre në vend.

Ai akuzoi gjithashtu faktorët në pushtet të Pakistanit, se janë përpjekur të kontrollojnë politikën e jashtme të Afganistanit.

“Sot, më duhet t’iu them sërish se lufta në Afganistan nuk është lufta jonë, por e imponuar ndaj nesh dhe ne jemi viktimat e saj”, shtoi Karzai. “Paqja nuk do të mbërrijë, deri kur Shtetet e Bashkuara apo Pakistani ta duan diçka të tillë”.

Gjatë viteve të fundit, Karzai ka denoncuar me ashpërsi Shtetet e Bashkuara, si shkaktarë të vdekjeve të civilëve afganë nga sulmet ajrore, si dhe për mbajtjen peng të militantëve të dyshuar afganë pa të drejtë gjykimi. Marrëdhëniet u përkeqësuan në fillim të këtij viti, kur Karzai refuzoi të nënshkruante një pakt të ri sigurue me Shtetet e Bashkuara.

Ai tha se kishte shkuar në Pakistan, aty ku besohet të jetë vendosur pjesa më e madhe e liderëve të talebanëve, të paktën 20 herë për të negociuar fundin e luftës, por përpjekjet e tij nuk janë marrë parasysh.

Top Channel