Ukraina, kushte Moskës për armëpushim afatgjatë

23/09/2014 00:00

Armëpushimi i 5 Shtatorit, edhe pse i lëkundur prej luftimeve sporadike, në vija të përgjithshme vazhdon të mbetet në këmbë. Megjithatë, kjo situatë sipas Kievit zyrtar nuk mund të zgjasë pafundësisht, ndaj duhet menduar për një pushimzjarri të qendrueshëm e afatgjatë.

Ndërsa kërkoi nga Moska vullnet politik mbi hedhjen e një hapi të tillë, ministri i Jashtëm ukrainas, Pavlo Klimkin, shtoi se tërheqja e plotë e forcave ruse dhe armëve të tyre të rënda janë parakusht për marrëveshje.

Mbyllja e kufirit mes dy vendeve dhe një ujdi mbi lirimin e pengjeve të mbajtur nga separatistët, mbeten gjithashtu kërkesa qendrore të Kievit, përpara se të pajtohet me një armëpushim të përhershëm.

Rusia e ka mohuar vazhdimisht praninë e trupave të saj në tokën ukrainase, apo armatosjen e separatistëve, pavarësisht këmbënguljes së Kievit dhe Perëndimit për të kundërtën.

Të hënën, zyrtarët ukrainas deklaruan se kanë nisur tërheqjen e trupave dhe armatimeve nga vija e frontit, si pjesë e një pakti me separatistët për krijimin e një zone të çmilitarizuar 30-kilometërshe.

Tërheqja e ushtrisë ukrainase do t’u mundësojë rebelëve të fillojnë riparimin e ndërtesave dhe infrastrukturës së dëmtuar, përpara se të hyjë dimri.

Në parim, hapa drejt një qetësimi afatgjatë të situatës po hidhen, por kjo nuk mjafton. Armëpushimi aktual, siç e cilësoi edhe një komandant i lartë ushtarak i NATO-s, Gjenerali Philip Breedlove, kështu ka vetëm emrin.

Nga pohimet e tij rezulton se raundet e të shtënave nga të dyja palët i afrohen niveleve të regjistruara përpara vendosjes së paqes. “Situata në Ukrainë, sot nuk është aspak e mirë”, u shpreh Gjenerali.

Armëpushimi është i tillë vetëm në letër, se në terren gjërat janë ndryshe. Aleanca Atlantiko-Veriore prej disa kohësh ka në plan ta përforcojë praninë e saj ushtarake në vendet kufitare me Rusinë, përfshirë këtu shtetet Baltike, të cilat kanë qenë dikur pjesë e bllokut sovjetik.

Top Channel