Franca konfirmon pengmarrjen e turistit

23/09/2014 00:00

Një grup militantësh i lidhur me ISIS-in ka rrëmbyer një turist francez, duke zgjeruar kështu territorin e rrezikut të sekuestrimit të perëndimorëve, përtej kufijve irakianë.

Pengmarrjen e konfirmoi ministri i Jashtëm i Francës, Laurent Fabius, i cili tha se videoja, ku 55-vjeçari Herve Gourdel shihet i rrethuar nga persona të armatosur, është autentike.

Rrëmbimi ka ndodhur të dielën në zonën e paqendrueshme Verilindore Kabylie. Militantët e organizatës algjeriane, Jund al-Khilifa, kërcënojnë ta vrasin turistin, nëse Franca nuk ndalon sulmet e saj ajrore në Irak.

Kryediplomati Fabius u shpreh se vendi i tij do të bëjë ç’është e mundur për lirimin e zotit Gourdel, por shtoi se situata është “tepër kritike”.

“Kërcënimet e bëra nga ky grup terrorist dëshmojnë edhe njëherë egërsinë ekstreme të Shtetit Islamik dhe të të gjithë personave të lidhur me të. Ne do të bëjmë të pamundurën për lirimin e pengut, por duhet ta keni të qartë se një grup terrorist nuk mund ta ndryshojë pozicionin e Francës”, tha Laurent Fabius, ministër i Jashtëm i Francës.

Më herët, militantët e ISIS-it paralajmëruan se në shënjestrën e sulmeve të tyre do të vihet Franca, por dhe të tjera vende të bashkuara me fushatën e Perëndimit kundër xhihadistëve në Irak, e së fundi edhe në Siri.

Por, me deklaratën e tij, se nuk do të ketë as diskutime e as negociata me rrëmbyesit, kryeministri Manuel Valls bëri të qartë edhe linjën, që qeveria franceze duket e vendosur të ndjekë sa i takon ISIS-it.

“Nëse dorëzohesh, nëse tërhiqesh mbrapa qoftë edhe një centimetër të vetëm, atëherë terrorizmit ti i jep fitoren”, u shpreh ai. “Jund al-Khilifa”, i njohur ndryshe si ushtarët e kalifatit, është zotuar për besnikëri ndaj ISIS-it, ndërsa disa raporte e përshkruajnë edhe si grup të shkëputur prej al-Qaedës.

Top Channel