Bota në dilemë para ISIS: Si ta shkatërrojmë?

23/09/2014 00:00

Ngritja befasuese e ISIS-it në nivelin e një grupi terrorist, që kërcënon gjithë botën, ishte si një tërmet për rajonin e përtej tij, që ka vendosur aleatë e rivalë përballë dilemës: si do të menaxhohet ky kërcënim.

Barack Obama kërkon një koalicion global për dobësimin e, në fund, shkatërrimin e Shtetit Islamik. Megjithatë, hasmëritë e vjetra dhe situata komplekse e Lindjes së Mesme nuk lejojnë, që çdo nismë të zbatohet po me aq lehtësi sa ç’thuhet.

Por, cila është situata dhe qëndrimi i vendeve në përgjithësi?

Vështrimin e saj në raport me gjendjen në rajon e më gjerë, BBC e nis nga Irani, shteti shiit, i cili ka kundruar i pafuqishëm avancimin e grupit, që shiitët i sheh si heretikë që meritojnë vdekjen. E gjithë kjo ndodh 40 km larg kufirit të tij. Edhe pse regjimi i Ajatollahëve qëndron më së shumti në krah të kundërt me komunitetin ndërkombëtar, sa i takon çështjes së Sirisë, ishte ndër zërat që kërkoi bashkëpunim kundër ISIS-it. Për këtë arsye i zgjati dorën dhe rivales së vjetër, Arabisë Saudite, e mbylli njërin sy përpara veprimeve amerikane në Irak.

Sa për këtë të fundit, nuk dihet se çfarë qëndrimi do të mbajë kryeministri Haider al-Abadi me paraushtarakët shiitë, që i penguan ISIS-it mbërritjen në Bagdad. Disa prej tyre janë akuzuar se vepruan jashtë kontrollit shtetëror e se kanë kryer masakra në radhët e popullsisë sunite. Që prej nisjes së rebelimit kundër regjimit të tij, Marsin e 2011-s, Presidenti sirian Bashar al-Assad kishte paralajmëruar vazhdimisht mbi rrezikun e ekstremistëve islamikë për vendin e tij dhe mbarë rajonin.

Fuqitë perëndimore e kanë hedhur poshtë portretizimin, që Assadi u bënte kundërshtarëve si terroristë, por tani ndihen tepër të shqetësuar nga rritja e ISIS-it dhe Al Nusras. Turqia e dëshiron me ngulm mposhtjen e ISIS-it, por frenohet nga nënshkrimi i angazhimit për marrjen e masave të nevojshme kundër grupit xhihadist, çka ka mbjellë pakënaqësi në Uashington.

Arabia Saudite ka qenë mbështetëse e palëkundur e rebelëve në Siri, përfshirë këtu grupet islamike të vijës së ashpër, por mohon me forcë akuzat e Teheranit se i ka ofruar ISIS-it mbështetje të drejtpërdrejtë.

Jordania, aleate e Amerikës, është pro fushatës anti-ISIS. Libani në këto momente është thellësisht i përçarë për shkak të konfliktit sirian, që e ka përcjellë dhunën brenda kufijve të tij. Emiratet e Bashkuara Arabe kanë ofruar forcat e tyre ajrore për të goditur pozicionet e xhihadistëve. Katari mohon ndihmën financiare për ISIS-in, por individë të caktuar tepër të pasur në këtë shtet besohen të kenë bërë donacione të bollshme dhe vetë qeveria ka dhënë parà për grupet islamike, që veprojnë në Siri.

Egjipti, Kuvajti, Bahreini, Omani shprehen të bashkuar kundër kërcënimit xhihadist. Rusia, aleate e Bashar al-Assadit, po mban anën e tij, Bashkimi Europian mbështet edhe ai goditjen e grupit terrorist, edhe pse preferon të mos marrë rol drejtues.

Top Channel