Izraeli vret dy palestinezët, autorë të vrasjes së adoleshentëve

23/09/2014 00:00

Dy palestinezë, të dyshuar si autorë të rrëmbimit dhe vrasjes së 3 adoleshentëve izraelitë në Qershor, tashmë rezultojnë të vrarë nga forcat izraelite, siç bën të ditur ushtria e Izraelit.

Një zëdhënës i saj deklaroi se trupa ushtarakë, që ishin vënë në kërkim të Marwan Qaeasmeh dhe Amer Abu Aisha, rrethuan një godinë në qytetin Hebron të Bregut Perëndimor, ku ata ishin fshehur prej kohësh.

“Hapëm zjarr dhe ata na u kundërpërgjigjën. Por, mbetën të vdekur si pasojë e shkëmbim-zjarrit”, tha Kolonel Peter Lerner. Pengmarrja e adoleshentëve izraelitë ishte edhe pikënisja e një konflikti më shumë se njëmujor në Gaza.

Lerner tha se kërkimët për dy palestinezët i kishin drejtuar policët e njësisë speciale të antiterrorizmit, Yamam, drejt një rrënoje në Hebron, rreth 1 javë më parë, bën të ditur “Associated Press”.

Të martën, forcat izraelite hynë në katin e nëndheshëm të ndërtesës dykatëshe dhe vranë dy persona pasi ishin sulmuar me armë zjarri, shtoi ai. Raportimet fillestare flisnin për një raketë dhe një buldozer të përdorur gjatë këtij sulmi.

Benny Gantz, shef shtabi, tha se “u kishim premtuar familjeve të adoleshentëve se do t’i gjenim vrasësit. Këtë mëngjes vetëm sa përmbushëm premtimin ndaj tyre. Ky nuk është një ngushëllim për familjet në vaj, – theksoi ai, – por shpresojmë që përgjigja jonë ndaj vrasësve t’ua lehtësojë disi dhimbjen atyre”.

Top Channel