Shteti besimtar dhe politika afetare

23/09/2014 00:00

Aleksandër Çipa – Që shteti sekular mund të sillet fisnikërisht si besimtar, këtë provë e morëm dhe e përjetuam në rastin e vizitës së botëjehueshme të Papa Françeskut, në datën 21 shtator në Tiranë.

Një vizitë dhe një pritje, takime dhe artikulime, të cilat mishëronin jo vetëm brendinë e bekuar, por edhe imazhin shkëlqyes për ne dhe për më tej. Brendia e fjalimeve të pritësve, ishte arratia më e bukur e konstatuar ndonjëherë prej gjendjes dhe shfaqjes që realizon në gjithëkohësinë e këtij tranzicioni, klasa jonë politike. Presidenti i Republikës, me fjalën e vet, qëndroi në lartësinë e mesazhit që përkon me peshën simbolike që ka vizita e Papa Françeskut, në vendin e parë të gjeografisë së Europës në këtë periudhë. Ai fjalim nuk e përjashtonte thelbin e së shkuarës dhe së ngjarës historike të shqiptarëve, sikundër respektonte balancën dhe vërtetësinë e realiteteve fetare brenda Shqipërisë administrative.

Ngjau ajo që në kontekstet e sotme globale, shumëpakkush mund ta besojë si të tillë dhe me kaq triumf në një vend kaq heterogjen si Shqipëria. Por nuk është shtirje, nuk është shfaqje dhe aq më tepër regji e përdorur dhe e sajuar prej politike për religjio-politikat. Përdorimi natyrisht që është i dukshëm dhe i leverdishëm për udhëheqësinë politike e partiake të vendit. Mirëpo në një kohë kur brenga kolektive për degradim dhe shpesh përdhosje të traditës, bëhet zotëruese në zhurmnajën mediatike dhe atë të debatit publik, befas vjen një ngjarje apo ngjet një pritje si kjo me Papa Françeskun, që të shijosh dhe pohosh të kundërtën.

Në Shqipëri, në kësi rastesh të rralla, shkëlqen tradita, jo për shkak të përdorimit apo manipulimit politik, por për shkak të asaj që sipas teologëve të parë dhe sidomos prelatëve të sotëm, të komuniteteve e bashkësive tona fetare, zanafillon qysh me lindjen e fetarisë.

Fetaria shqiptare është një realitet me dukuri të pakrahasueshme. Fondamenti i elitës kombëtare në këtë aspekt është një themeli e gjendur dhe e shijuar në kulturën kombëtare, në historinë e vetë fetarisë e religjioneve dhe sidomos në ekstraktet e kohëpaskohshme të filozofisë së bashkëjetesës. Gjenealogjia e shqiptarëve është një pemë ku shartesat ndërfetare dhe sidomos kryqëzimet natyrale e kanë bërë fetarinë një realitet që dominohet e respektohet prej prirjes pranuese dhe mirëbesimit.

Në ditë si ajo e vizitës së Papa Françeskut, pikërisht u dëshmua prova e gjithëhershme e kësaj bashkëjetese.

Mirëpo në këtë ditë, kur një pjesë e analistëve dhe komentonjësve tanë, stoikë të skepticizmit të tyre, sollën qasje dhe elemente të një brendie tjetër kritike, ngjau që shteti të braktiste pa shkaktuar pakënaqësi, laicizmin e vet. Shteti me gjithë protokollin dhe sidomos angazhimin e vet formal, krijoi perceptimin e dëshirueshëm të të qenët si i udhëhequr prej besimtarisë. Këtë besimtari fetare, e cila u shkri dhe u formësua e gjitha si forcë e ndërgjegje mikpritjeje dhe imazhi, opinioni publik duket se e pranoi. E lexoi dhe e aprovoi në mënyrën e vet si diçka të duhur, të domosdoshme, të vlefshme dhe sidomos të shumëvlershme në raport me imazhin tej vendit dhe me Europën.

Kjo besimtari natyrisht që u bashkëshoqërua me një sjellje dhe performancë unitariteti e devotshmërie prej udhëheqësisë partiake. Politika, dhe sidomos udhëheqësia e saj, në këtë periudhë tranzicioni ka shtuar e stivosur prova të panumërta të një ndërgjegjeje e shpirti mëkatar e konfliktual. Afetaria e saj brenda fetarisë së shtirur apo të demagogjizuar, ia ka sjellë tensionin dhe nervozizmin publikut në “majë të hundës”.

Sa brendi formale dhe komente sarkastike shkaktojnë tashmë ecejaket dhe sidomos fjalët standarde të udhëheqësve partiakë për paqe e besim e vëllazëri në festat tradicionale fetare si ato të Pashkëve, Ramazanit, Hashures etj., etj.?! Ndërkohë që në skenën dhe atmosferën politike të vendit, mbretëron gjithnjë e më shumë fryma dhe patologjia e konfliktit dhe antagonizmit!

Afetaria e politikanëve te ne është mbulesë apo thënë ndryshe, rrobë e ateizmit të trashëguar prej tyre, për shkak të një epoke antife, siç ishte ajo e komunizmit, në të cilën lindën dhe u madhuan shumica e tyre. Këtë shtirje të papranuar si ndërgjegje reale, por të shitur si frymë me përdorim të pashmangshëm, opinioni publik e sodit dhe e pranon, duke demonstruar konformizëm masiv. Nga ana e tyre, edhe politikanët të ndier mirë brenda kësaj demagogjie dhe të parrezikuar në sundimtarinë e tranzicionit, po shtojnë aktet e regjisë së ndenjur në të cilën politika e tyre afetare e përdor shtetin si besimtar. Ngjet tamam shfaqja e një forme tjetër klerofobizmi: forma e respektit në mos të shtirur, së paku të përdorur dhe për llogari të asaj që pat cituar Atë Gjergj Fishta: “Ndër vese të veta / i kalbun krenari”.

Në brendinë e vet postvizitë, marrëdhënia ndërpolitike partiake në vend mbetet ajo para vizite. Impakti formal i besimtarisë, rikthehet si gjendje informale e mosbesimit ndaj njëri-tjetrit. Pas tri ditësh rikthehet aty ku është lënë pa përgjigje pyetja: Pse sërish luftë pas bekimit? Edhe vetë Muhamedi apo Krishti të rikthehen në sheshbetejën politike të kësaj klase, loja dhe mosbesimi këto kanë për të qenë.

Është mundësi e paralajmëruar e afetarizmit të tyre në ndërgjegje dhe prova e ndenjur e të qenët protagonistë të pafe të politikës konfliktuale. Pas kësaj, edhe suksesi apo sfida për imazh dhe opinion pozitiv, dalin shpejt nga vëmendja dhe vlerësimi për t’u ruajtur apo mbrojtur për diçka më tej. Një bekim vijues për administrimin e vendit dhe territorit do të ishte i shijuar e provuar më tej, nëse ajo që ngjau për sheshin “Nënë Tereza”, në formë rrathësh centrikë do të zgjerohej si një perimetër ndryshues për qytetet, rrugët, sheshet dhe mjediset tona në të gjithë vendin dhe jo të riciklohej mosmarrëveshja mes dy qeverisjeve (të madhes së majtë dhe vendoreve të djathta), duke lënë në fuqi luftën e akuzave dhe justifikimeve. Mjafton ky element të besosh se shteti që përdoret si besimtar për një vizitë, nuk ka “din e iman” si administrator dhe shërbestar i jetës së shoqërisë. Këtë triumf e arrijmë nëse zhdukim e zhbëjmë përfundimisht ndërgjegjen afetare të partive dhe administratorëve të tyre. Një pasazh të kësaj apologjie të pabërë dhe indirekt të përqasur si mision real të kishës katolike, e paraqiti Imzot Rrok Mirdita në fjalën e vet para Atit të Shenjtë: “Në këtë kohë tranzicioni e çorientimi, Kisha në Shqipëri, e ndihmuar nga Kisha Universale, për të cilën pati nevojë të madhe pas persekutimit të gjatë, u përpoq ta dëshmojë Ungjillin përmes shërbimit të përvuajtur e besnik ndaj më nevojtarëve …”

Ndonëse nevojë për uratë e bekim prej Atit të Shenjtë, demonstroi në sytë e publikut dhe para mediave, familja e madhe e mëkatarëve.

Top Channel