Startojnë në fundjavë Kategoria e Parë dhe e Dytë

23/09/2014 00:00

Veç çmimeve të biletave për ndeshjen e radhës kualifikuese të Shqipërisë, ndaj Danimarkës në “Elbasan Arena”, më 11 Tetor, Komiteti Ekzekutiv i Federatës shqiptare të Futbollit, i mbledhur ditën e hënë nën drejtimin e presidentit Armand Duka, duket se i ka dhënë edhe një zgjidhje momentale ngërçit në lidhje me fillimin e kampionateve të Kategorisë së Parë dhe të Dytë, por duke bërë të detyrueshëm akordin me policinë për mbarëvajtjen e ndeshjeve, që do të startojnë nga kjo fundjavë.

Gjithashtu janë vënë edhe disa kushte financiare e infrastrukturore, pa plotësimin e të cilave klubet nuk do të regjistrohen dhe do t’i humbasin ndeshjet në tavolinë.

“Kategoria e Parë dhe Kategoria e Dytë do të fillojnë aktivitetin këtë fundjavë. Ekipet, që nuk kanë shlyer detyrimet financiare, brenda javës duhet të derdhin në FSHF 50% të detyrimeve, që kanë për edicionin 2014-2015. Për pjesën e mbetur të detyrimeve do të bëjnë një aktmarrëveshje me FSHF, për t’i likuiduar ato deri më 31 Dhjetor 2014. Nëse brenda javës, klubet pjesëmarrëse nuk likuidojnë 50% të detyrimeve, klubet debitore humbin ndeshjen në tavolinë”, shkruhet në vendimin e marrë nga Ekzekutivi, sa i përket aspektit financiar.

Kësisoj, klubet i kthehen skemës së pagesës “me këste” të detyrimeve për regjistrimin në kampionat, variant të cilin FSHF është munduar shpesh ta zhdukë gjatë viteve të fundit, por me sa duket pa ia dalë mbanë. Dhe kjo theksohet edhe me faktin që klubet nuk do të përjashtohen nëse nuk shlyejnë “këstin” e parë.

Por, vendimi më i rëndësishëm i Ekzekutivit ka të bëjë me stadiumet, në të cilat do të zhvillohen ndeshjet e këtyre dy kampionateve.

“Sa i takon infrastrukturës, të gjitha klubet duhet të sjellin, brenda javës në FSHF, garancinë e policisë për të marrë përsipër mbarëvajtjen e të gjithë aktivitetit. Në të kundërt, duhet të sjellin marrëveshje me një nga stadiumet e tjera të miratuara nga Policia e Shtetit”, shkruhet në vendim.

Kësisoj, klubet kanë marrë paralajmërimin, që të kontaktojnë sa më parë me Policinë e Shtetit. Nëse kjo e fundit nuk garanton zhvillimin e ndeshjeve në stadiumin e tyre, me apo pa tifozë, atëherë klubet duhet të kërkojnë një impiant, në të cilin të jetë e mundur të luhet me praninë e forcave të rendit, të cilat garantojnë sigurinë.

Top Channel