Ndryshimet në buxhetin e Qeverisë

23/09/2014 00:00

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani paraqiti në Komisionin Parlamentar
të Ekonomisë, Aktin Normativ për buxhetin e rishikuar të vitit 2014.

Fillimisht zoti Cani sqaroi se pse Qeveria po e ndryshon buxhetin.

“Arsyeja kryesore e rishikimit të buxhetit është parja me një dinamikë tjetër të shpenzimeve kapitale, për të hequr para në ato projekte, të cilat nuk kanë gjetur veten për t’u realizuar dhe për t’ua kaluar këto para atyre projekteve, të cilat kanë përformancë më të mirë”, tha Cani.

Drafti i rishikuar i rrit të ardhurat totale me 3.2 miliardë lekë ose 0.9 për qind krahasuar me buxhetin fillestar.

“Do të kemi rialokime më këtë projektbuxhet, siç e kemi vënë midis zërave, disa janë me mosrealizim, të tjerë janë me tejkalim, por e rëndësishme është që ne nuk luajmë nga treguesi total i të ardhurave të buxhetit, siç është bërë 5 vitet e fundit”, tha Cani.

Por, edhe pse të ardhurat totale rriten, disa taksa kanë ecuri negative. Veçanërisht akciza, të cilën Qeveria e rishikoi me 4.3 miliardë lekë në ulje, kryesisht për shkak të cigareve. Ministri i Financave e shpjegon këtë me importet e larta vitin e kaluar, kur tregtarët mësuan se do rriteshin taksat, por Erjon Braçe ka një tjetër shpjegim.

“Ndjeshëm u rrit importi i cigareve në muajin dhjetor dhe mund t’ju them, që nëse jam i saktë për shifër, por besoj 174 %”, tha Cani.

“Unë jam i pritur të besoj gjithçka ju thoni dhe ju e provoni, apo e dokumentoni. Unë, ende nuk jam i bindur që shifra që mungon akciza nuk është evazion fiskal. Po ju them që tek cigarja, tek nafta, tek birra ka evazion fiskal dhe kjo natyrisht që ngarkon me pergjegjësi të drejtpërdrejtë administratën fiskale”, tha Braçe.

Qeveria e kaluar nënshkroi disa kontrata me kompani private, duke u dhënë me koncesion pullat fiskale dhe gjurmimin e mallrave të akcizës për të ulur evazionin.

“Eshtë zbatuar kontrata në treguesit e saj apo jo? A ka efekt ky koncesion, apo këto dy koncesione apo jo?

“Ne kemi synuar prishjen e kontratave. Tani kemi marrë disa përgjigje për to dhe prandaj ju thashë, që ne jemi në fazën e negociatave. Ta mbyllim këtë fazë, ju sqaroj me imtësi, se ku jemi, çfare kemi gjykuar…”, tha Cani.

kritika nga deputetët e Komisionit ka patur edhe për realizimin e dobët të investimeve, por ministri i Financave tha se me rialokimet në buxhet ato do të realizohen 100 për qind.

Top Channel