ISIS, “për SHBA, Vietnami i dytë”

23/09/2014 00:00

Nuk ndalen videot e ISIS. Xhihadistët, pikërisht kur Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë kanë nisur sulmet ajrore në Siri, kanë publikuar në YouTube dhe JustPaste videon e dytë me gazetarin britanik John Cantlie, i rrëmbyer në vitin 2012.

Videoja titullohet “Episodi 1” dhe në të gazetari deklaron se vendet perëndimore kanë nënvlerësuar forcën dhe vullnetin e kundërshtarit të tyre dhe se nuk kanë parë një “kaos potencial” si ky që nga kohët e Vietnamit.

“Mirdita, jam Jon Cantlie, qytetari i braktisur nga qeveria e tij. Qeveritë perëndimore janë kapur të papërgatitura nga shpejtësia me të cilën është rritur Shteti Islamik”, thotë gazetari.

Sikurse në videon e parë, Cantlie flet i ulur në një tryezë dhe i veshur me një tutë portokalli, që është kthyer në simbolin e pengjeve të ISIS. “Bëni mirë të ma vini veshin”, paralajmëron ai Perëndimin.

Për videon janë përdorur disa kamera nga kënde të ndryshme xhirimi. Gazetari, në dukje i qetë, duket se reciton skenarin që i është imponuar nga rrëmbyesit e tij.

Gazetari John Cantlie e ka për herë të dytë rrëmbimin e tij. në fillim të vitit 2012 ai u prangos dhe u mbajt me sy të lidhur për një javë, por u shpëtua nga anëtarët e Ushtrisë Clirimtare Siriane. Por ai u kthye sërish në Siri nga fundi i të njëjtit vit dhe këtë herë, gjatë një udhëtimi, u kap për herë të dytë.

Që prej muajit gusht militantët e ISIS kanë ekzekutuar me prerje koke tre pengje: gazetarët amerikanë James Foley dhe Steven Sotloff, si dhe punonjësin humanitar britanik David Haines. Vdekjet e tyre u filmuan dhe u postuan online.

Top Channel