Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut

23/09/2014 00:00

Ka nisur në Tiranë Edicioni i Nëntë i “International Human Rights Film Festival”, një event ku përmes artit të shtatë trajtohen çështje që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut.

Me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ambasadave, mes të tjerash gjermane, austriake, italiane, holandeze e amerikane, OSBE-së e Unicef, në natën e hapjes së Festivalit u fol për rëndësinë e tij dhe të tematikës që ai trajton; të drejtat e njeriut.

Kujtim Çashku, drejtor i Festialit Ndërkombëtar të të Drejtave të Njeriut: Vijmë këtu duke menduar se çfarë mund t’i japim vendit tonë dhe çfarë mund të bëjmë për të. Ky është një mesazh që dua ta ndaj me të gjithë shqiptarët, ne vijmë këtu si qënie njerëzore dhe zbulojmë se çfarë kanë bërë të tjerët për ne. Por duhet të mendojmë se çfarë duhet t’u lëmë të tjerëve. Ky është një lloj misioni.

Lindita Nikolla, Ministre e Arsimit dhe e Sportit:
Do të doja që të gjithë së bashku ta ndjejmë fort atë emocion që filmi përcje, mesazhet e forta që do të përcjellin, jo si herë të tjera që na ndodh të gjithëve kur imagjinata lëshohet edhe përmes reales. Ta ftojmë imagjinatën tonë të lëshohet drejt një qendrimi dhe reflektimi qytetar për të bërë më të mirën drejt të drejtave të njeriut.

Florian Rauning, Ambasador i OSBE-së:
Është një nder që mund të jemi partner tradicional i kësaj feste. Ky festival tregon që shoqëria civile në Shqipëri funksionon, punon…dhe punon e vepron për çështjet që na takojnë të gjithëve ne, sidomos në vendet si Shqipëria që ka vuajtur për shumë kohë në një regjim që nuk e ka pranuar fare nocionin e të drejtave të njeriut.

Nata e parë e festivalit, i cili do të vazhdojë deri më datë 28 shtator, u hap me dokumentarin çek “Nata e madhe” të regjisorit Petr Hatle, një vëzhgim mbi jetët e një grupi njerëzish që jetojnë në errësirën e natës, secili prej tyre me histori të dhimbshme që i kanë çuar drejt pagjumësisë, drogës, prostitucionit apo lokaleve që nuk mbyllen kurrë të Pragës, larg dritës dhe jetesës normale.

Top Channel