Australi, kërcënoi kryeministrin, vritet terroristi

23/09/2014 00:00

Personi që kishte bërë një seri kërcënimesh në adresë të kryeministrit të Australisë, Tony Abbott, është qëlluar për vdekje në qytetin e Melbërnit.

Personi, i mbajtur nën mbikëqyrje pasi konsiderohej “person nën hetim”, po hetohej për lidhje me terrorizmin, raporton transmetuesi australian ABC.

Sipas këtij burimi, dy oficerë policie u goditën me thikë nga personi në fjalë, para se ai të qëllohej. Të dy ata janë dërguar në spital, por njëri prej tyre ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Ngjarja ka ndodhur kur i dyshuari mbërriti në një stacion policie në periferi të qytetit, mëngjesin e së martës. Atij i ishte kërkuar të paraqitej për një marrje në pyetje. Por me të mbërritur atje ai ka nxjerrë një flamur të Shtetit Islamik.

Ngjarja vjen në një moment tensionesh të larta, për shkak të operacioneve të gjera anti-terror që u kryen javën e kaluar në Sidnej dhe Brisbejn.

Operacionet e policisë australiane parandaluan disa plane të mbështetësve të ISIS për t’u prerë kokën disa australianëve të zgjedhur rastësisht.

Ditën e hënë, kryeministri Abott deklaroi se disa norma që lejojnë liri veprimi duhet të kufizohen në emër të sigurisë kombëtare.

Autoritetet australiane besojnë se të paktën 60 australianë ndodhen në Lindjen e Mesme duke luftuar në radhët e ISIS dhe grupeve të tjera militantë.

Po javën e kaluar Abott urdhëroi ngritjen e masave të sigurisë përreth godinës së Parlamentit nga rreziku potencial i sulmeve terroriste.

Top Channel