E vërteta e mbështetjes së ISIS

23/09/2014 00:00

Pavarësisht se thuajse të gjitha vendet e pasura të Gjirit Persik i janë bashkuar koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS, shumë prej tyre në të shkuarën janë akuzuar për mbështetje financiare të ekstremistëve.

Në një analizë të botuar në versionin online të BBC, Michael Stephens, drejtor i Institutit të Shërbimeve Mbretërore në Katar, thotë se marrëdhënia e vendeve të Gjirit me ISIS është e komplikuar.

“Shumë është folur për mbështetjen e donatorëve dhe simpatizantë të veçantë ndaj ISIS në vendet e Gjirit dhe akuzat që dëgjoj më shpesh janë ato të drejtuara ndaj Katarit, Arabisë Saudite dhe Turqisë si fajtore të vetme për krijimin e kalifatit”, thotë Stephens.

Ky është një variant i thjeshtëzuar, por e vërteta është shumë herë më komplekse, shton ai. Për Stephens mbështetja e disa personave të pasur në vendet e Gjirit ndaj ISIS është e pamohueshme, por kjo ka ndodhur në të shkuarën kur këto vende shihnin luftëtarët e grupeve islamike sunite si një mundësi e mirë për të rrëzuar nga pushteti Bashar al-Assad dhe shiitët në Siri.

Miliona dollarë të thatë janë transportuar me çanta nëpërmjet Turqisë për grupet Liëa al-Taëhid, Ahrar al-Sham dhe Jaish al-Islam, që të tre grupe që luftonin Bashar al-Assad dhe që të tre të lidhura me krahun e Al Kaedas në terren, Al-Nusran, por duke ruajtur mëvetësinë e tyre.

Me zgjatjen e konfliktit Al-Nusra fitoi më shumë terren dhe këto grupe u njehsuan me të duke çuar në zgjerimin e kësaj organizate terroriste aq sa ishte e vështirë të kontrollonte veten e saj. Pikërisht nga radhët e saj dolën edhe “ajka e ekstremistëve” që formuan ISIS. Sot vetë Al-Nusra ka dënuar disa prej krimeve të këtyre radikalëve fetarë.

Në mënyrë të tërthortë vendet e Gjirit që iu bashkuan sulmeve amerikane ndaj fortesave të ISIS në Siri, pranojnë dështimin e strategjisë për të rrëzuar Basha al-Assad, ndërkohë që ky i fundit muaj më parë kishte deklaruar se “mikpret bombardimet ndërkombëtare ndaj terroristëve”, që i sheh si një mundësi të artë për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë konfliktit disa-vjeçar në vend.

Top Channel