Shqiptarët, kombi që nuk i ka përçarë feja, por politika

23/09/2014 00:00

Denis Dyrnjaja – Vizita e Papës mund të ketë simbolika nga më të
ndryshmet për Shqipërinë dhe shqiptarët, sigurisht nga më pozitivet, por
personalisht doja të ndalesha vetëm te njëra prej tyre dhe që e
konsideroj më domethënësen.

Ndërsa ndoqa vizitën e Atit të Shenjtë dhe pashë pritjen dashamirëse që iu bë nga shqiptarët, pavarësisht bindjeve të tyre fetare, më shëmbëlleu në mendje një konkluzion kontrovers me realitetet e shumë shteteve e kombeve të tjera në botë. Nëse shumë vende të botës ende në shekullin e 21 janë në luftë ose nën kanosjen prej saj, për shkaqe mirëfilli ose të tërthorta fetare, shqiptarët, me një shumëllojshmëri besimesh, nuk i ka ndarë e përçarë feja, por politika.

Indoktrinimi prej kësaj të fundit, është aq i thellë, sa në këtë vend njerëzit kanë marrë dhe armët dhe i kanë shkrehur ndaj njëri-tjetrit, vetëm për shkak të dogmave të baritorëve politikë. Në këtë vend mund të gjesh me mijëra martesa mes një myslimani e një të krishtere ose të një krishteri me një myslimane, mund të gjesh qytete apo lagje ku jetojnë për bukuri e në harmoni së bashku myslimanë e të krishterë, por e ke të vështirë të gjesh të njëjtin mirëkuptim e tolerancë, mes shqiptarësh me bindje të ndryshme politike.
Prezenca e Papës në Shqipëri arriti t’i mbledhë të gjithë me soj e sorollop politik, në pritjen zyrtare të organizuar nga Presidenti i Republikës, por kontraktimi i lexohej në fytyrat e personazheve të politikës që kanë mbjellë urrejtje të ndërsjellë aq shumë, sa e kanë të vështirë të shohin njëri-tjetrin në sy, t’i japin dorën apo të rrinë pranë në raste ceremonish, pavarësisht përpjekjeve për ta fshehur nën buzëqeshje korteziale këtë antipati.

Aq shumë e ka ndarë politika veten e saj dhe popullin në këtë vend, sa paqja që vendosi Papa për një ditë në Tiranë, u duk si mrekullia e Zotit për Shqipërinë. Dhjetëra dekada na kanë ikur duke u grindur mes vetes, duke komplotuar, duke përçarë e urryer, madje edhe duke vrarë njëri-tjetrin për politikë. A nuk duhet të kuptojmë se ky shekull që po jetojmë, duhet të na shkëpusë nga indoktrinimi i sëmurë politik e të fillojmë të besojmë më shumë në vlera e në respekt reciprok. Nëse i kemi humbur t’i rigjejmë këto vlera e nëse s’i kemi pasur, t’i krijojmë! Ateizmi politik është shpëtimi i kësaj shoqërie. Sa më shumë ateistë politikë, aq më pak tension shoqëror, sa më shumë ateizëm politik, aq më shumë maturi kolektive, sa më shumë ateizëm politik aq më shumë prosperitet demokratik.

Top Channel