Cameron, takim me presidentin iranian

23/09/2014 00:00

Kryeministri britanik David Cameron do të takohet me presidentin iranian Hassan Rouhani në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Takimi vjen pasi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj nisën sulmet kundër Shtetit Islamik në Siri, ndërsa pozicioni i Iranit ndaj këtij aksioni mbetet i paqartë.

Kjo do të jetë hera e parë që një kryeministër britanik takon një president iranian që prej revolucionit të Republikës Islamike në vitin 1979.

Cameron dhe Rouhani zhvilluan një bisedë telefonike në nëntor, por bisedimet që do të mbahen së shpejti do të jenë të parat kokë më kokë.

Korrespondenti i BBC, Nick Bryant deklaron se marrëdhëniet mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Iranit janë “ngrohur ndjeshëm” në muajt e fundit.

Qeveria e Britanisë së Madhe deklaroi se “ende” nuk u është bashkuar sulmeve në Siri, por debati për këtë çështje mund të nisë brenda kësaj jave në Parlament.

Sipas raportimeve të BBC, ka gjasa që Parlamenti të thirret në një seancë të jashtëzakonshme brenda pak ditëve për të autorizuar operacionet ushtarake britanike.

Përfaqësues të laburistëve kanë deklaruar ndërkohë se, nëse vendoset që Mbretëria e Bashkuar të kryejë sulme kundër ISIS në Siri, ato duhet të bëhen në bazë të disa kritereve.

Shefi i qeverisë britanike ka gjasa që në fjalimin e tij në selinë e OKB-së në Nju Jork të paraqesë “udhëzime dhe opsione” lidhur me kërcënimin e ISIS.

Top Channel