Obama: ISIS, luftë jo vetëm e SHBA

23/09/2014 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama ka përshëndetur mbështetjen e vendeve arabe në sulmet ajrore kundër militantëve të Shtetit Islamik, duke thënë se: “Kjo luftë nuk është vetëm e Amerikës”.

Obama foli disa orë pasi Shtetet e Bashkuara dhe pesë vende arabe aleate nisën sulmet kundër militantëve të ISIS në Siri.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi se Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordania, Bahreini dhe Katari morën pjesë në këto sulme.

“Shtetet e Bashkuara janë krenare që qëndrojnë krah për krah me këto vende. Ne nuk do t’i tolerojmë oazet e terroristëve që kërcënojnë popujt tanë”, deklaroi Obama.

Presidenti amerikan shtoi më tej se, militantë të lidhur me Al Kaedën, të njohur ndryshe si Grupi Khorasan, ishin gjithashtu shënjestër e sulmeve të saponisura.

Aktivistët deklarojnë se të paktën 70 luftëtarë të Shtetit Islamik dhe 50 të tjerë të lidhur me Al Kaedën mbetën të vrarë nga sulmet. Nga ana tjetër, autoritetet siriane thanë se ishin njoftuar më parë për sulmet në fjalë, por Departamenti i Shtetit e ka mohuar një gjë të tillë.

ISIS ka zaptuar zona të gjera në Siri dhe Irak dhe Shtetet e Bashkuara kanë kryer që prej muajit gusht rreth 200 sulme ajrore kundër bazave të këtij grupi në Irak.

Por sulmet e së hënës e zgjerojnë fushatën amerikane përtej kufijve të Irakut, duke depërtuar për herë të parë në Siri. Konkretisht, sulmet shënjestruan bazat kryesore të grupit terrorist në Raka, në veri-lindje të Sirisë. Nga bombardimet u shkatërruan baza stërvitjeje, automjete, depozita armësh e municionesh, etj.

Top Channel