Angkori, qyteti më i madh mesjetar

23/09/2014 00:00

Thellë në xhunglën e Kamboxhias shtrihet një qytet mesjetar i fshehur për shekuj me radhë. U desh prilli i vitit 1858 kur eksploruesi francez, Henri Mouhot u nis nga brigjet e Londrës në drejtim të Azisë Jug-lindore, ku për tri vite me radhë eksploroi xhunglën dhe zbuloi një sërë insektesh që edhe sot mbajnë vulën dhe emrin e tij.

Sot ndoshta gjithçka do të ishte në xhungël, po të mos kishte qenë botimi i ditarit të Mouhot në vitin 1863, dy vite pas vdekjes së tij nga ethet hemorragjike në Laos, kur ishte vetëm 35 vjeç. Më shumë se sa përshkrimi i insekteve të xhunglës, lexuesit e kohës u mahnitën nga përshkrimi i tempujve të zbuluar në qytetin e humbur të Angkorit, tempuj që nxitën imagjinatën e brezave në letërsi dhe dekada më vonë edhe në kinema.

“Njëri prej këtyre tempujve është një rival i denjë i tempullit të Solomonit, i ideuar ndoshta nga ndonjë Mikelanxhelo i antikitetit dhe mund të zërë një vend të nderuar mes ndërtesave më të bukura të njerëzimit. Është më i madh se gjithçka tjetër antike e trashëguar nga grekët dhe romakët”, shkruante ai.

Në pjesën më të madhe të shkrimeve të tij ato që paraqiten janë të vërteta, përveç faktit se këta tempuj nuk janë aq të lashtë sa ato të trashëguara nga qytetërimi egjiptian, ai grek apo romak.

Vite më vonë u zbulua se tempujt janë pjesë e qytetit të Angkorit, kryeqendra e perandorisë së Khmerëve nga shekulli i IX deri në shekullin e XV. Në kulmin e lulëzimit të vet ky qytet ka kapur shifrën e 1 milion banorëve duke u bërë me të drejtë qyteti më i madh mesjetar i njerëzimit.

Me zgjerimin e gërmimeve arkeologjike u zgjerua edhe harta e kompleksit dhe sa më shumë gërmohet, aq më shumë mahniten arkeologët. Vitin e kaluar këta të fundit njoftuan një sërë zbulimesh të reja thellë në xhungël. Një ekip studiuesish ndërkombëtarë të udhëhequr nga Damian Evans i Universitetit të Sidnejit vunë në shërbim të kërkimeve të tyre fjalën më të fundit të teknologjisë të pagëzuar me emrin LIDAR, një pajisje e sofistikuar që shfrytëzon rrezet lazer për të gjetur rrënojat e ndërtimeve dhe produkti i nxjerrë është një hartë që mënjanon efektin e natyrës.

Përdorimi i LIDAR ndihmoi studiuesit të zbulonin brenda dy javëve gjithë strukturën e qytetit që shtrihej në një sipërfaqje prej 1 mijë kilometrash katrorë, disa herë më e madhe se sipërfaqja e zbuluar.

Tashmë me hartën e përfituar do të punohet në terren, punë që mund të kërkojë vite, ndoshta edhe dekada që të përfundojë për shkak të terrenit të vështirë dhe zonave të minuara nëpër xhungël, relike të luftës civile kamboxhiane.

Besohet se Angkori është përcaktuar si kryeqendra e perandorisë nga fundi i shekullit të 9-të duke zëvendësuar Mahendraparvata, që mendohet se ka qenë i shtrirë në kodrat Kulin, pranë rrënojave të Angkorit.

Për të vërtetuar këtë grupi i studiuesve ndërkombëtarë skanoi me lazer edhe këto kodra ku rezultati ishte akoma më mahnistës. Nga ky skanim doli në pah një qytet i tërë i mbuluar nga toka dhe xhungla, me rrjete hidraulike dhe inxhinierike të mirëfillta që flasin për një qytetërim tejet të zhvilluar të kohës.

Karakteristikë e ndërtimeve të kësaj periudhe ishtë përdorimi i arit nëpër tempuj. Në njërin prej tyre, të quajtur Preah Khan, i ndërtuar në vitin 1191 është përdorur një sasi prej 60 tonësh ar, me një vlerë që kap shifrën prej 3.3 miliard dollarë ditët e sotme.

Përdorimi i kësaj sasie ari sugjeron një mirëqenie të lartë të qytetit. Por pavarësisht kësaj, fundi ishte i pashmangshëm. Në fund të shekullit të XII dhe fillim të shekullit të XIII rajoni u përfshi nga një klimë e paqendrueshme, me vite herë krejtësisht të thata e herë me përmbytje masive që shkatërruan rrjetin ujësjellës dhe shkaktuan dëmë të pariparueshme në qytet, dëme nga të cilat Angkori nuk e mori më kurrë veten dhe dalëngadalë u braktis duke iu dorëzuar xhunglës.

Në shekullin e XV kjo detyroi zhvendosjen e kryeqendrës së perandorisë së Khmerëve në bregdet ku formuan Phnom Penh, sot kryeqyteti i Kamboxhias.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel