Athina zyrtare i konsideron pozitive deklaratat e kancelares gjermane Angela Merkel pas një takimi prej rreth një orë që ajo pati me kryeministrin grek Antonis Samaras.

Shumë shpejt Greqia do të arrijë zhvillim të lartë ekonomik, tha Merkel në konferencën e përbashkët për shtyp. Hapat e para janë të dukshme si pasojë e reformave, ndaj nëse vazhdoni kështu do të keni mbështetjen e Berlinit – premtoi ajo.

“Është shumë e kënaqshme që ka mjaft sinjale pozitive në Greqi dhe që pragu i zhvillimit ekonomik së shpejti do të mund të arrihet. Greqia është në proces të përfundimit të hapave të një programi dhe është në kontakt të vazhdueshëm me të ashtuquajturën trojka, FMN, BQE dhe BE. Edhe këtu është e qartë se ka zhvillime të ndryshme të kënaqshme të cilat duhet të vazhdojnë”, deklaroi Merkel.

Nga ana e tij, kryeministri Samaras tha se Greqia nuk do të ketë nevojë për një paketë të tretë ndihme, por për disa lehtësime në sektorin e tatimeve, duke vazhduar reformat strukturore.

“Greqia ka arritur një sufiçit primar në vitin 2013. Me fjalë të tjera, një vit më parë sesa kërkonte programi dhe për herë të dytë do ta bëjmë këtë edhe për vitin 2014, jo vetëm për të arritur objektivat, por edhe për t’i tejkaluar ato”, tha Samaras.

Përsa i përket borxhit kolosal të vendit, për të cilin thuhej se Samaras do të negocionte me zonjën Merkel për një reduktim të tij në këtë takim, kryeministri grek nuk dha ndonjë hollësi, por sqaroi se zgjidhja kryesore do të jetë përforcimi i sistemit bankar, privatizimet, reformimi i sektorit shtetëror, etj.

Ai la të nënkuptohet se pas vlerësimit të fundit të programit nga ekspertët e trojkës, Athinës do t’i shtyhet edhe më shumë koha e shlyerjes së borxheve, si dhe normat e interesit. Deklarata këto, që janë kritikuar ashpër nga partia opozitare Syriza.

Nga ana tjetër, sipas shtypit grek, Samaras theksoi para zonjës Merkel se Greqia po fiton një rol të ri përmes pjesëmarrjes në gazsjellësat drejt Europës, por edhe me rezervat e veta energjitike.

“Kërkimet në Greqinë perëndimore në detin Jon dhe në Kretë i tejkalojnë pritshmëritë për gaz natyror dhe naftë, duke e shndërruar Greqinë në një barrierë sigurie në rajon”, tha ai.

Top Channel