Burg përjetë dhëndërrit të Bin Laden

23/09/2014 00:00

Dhëndërri i Osama Bin Laden u dënua me burgim të përjetshëm nga një gjykatë në Nju Jork.

Sulaiman Abu Ghaith, 48 vjeç, është udhëheqësi më i lartë i Al Kaedas që u gjykua në tokën amerikane që prej sulmeve të 11 shtatorit të 2001-it.

Kleriku kuvajtian u arrestua vitin e kaluar në Jordan nga ku u transferua menjëherë në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuzat për terrorizëm.

Në muajin mars juria e gjeti fajtor për komplit për të vrarë amerikanë dhe ndihmë ndaj Al Kaedas. Në procesin gjyqësor u shfaq edhe një video e publikuar më 10 shtator të 2001, pikërisht një ditë para sulmeve mbi kullat binjake.

Në video Abu Ghaith kërcënon Shtetet e Bashkuara me “një stuhi të pambarimtë avionësh”.

Vetë Ghaith u justifikua se roli i tij në Al Kaeda ishte më shumë fetar dhe shpirtëror dhe synonte t’u jepte kurajo myslimanëve në mbarë botën për të luftuar pushtuesit e tyre.

Ghaith është i martuar me vajzën e madhe të Bin Laden, Fatima-n.

Top Channel