Hetim parlamentar anëtarëve të KLD

23/09/2014 00:00

Në një mbledhje ku nuk mungoi as humori e ku shumica dërrmuese fitoi përballë qëndrimit kundër të deputetit Nard Ndoka, komisioni i ligjeve vendosi t’i propozojë Parlamentit ngritjen e komisionit hetimor ndaj dy të dërguarve në Këshillin e Lartë të Drejtësisë: Elvis Çefës në detyrën e nënkryetarit dhe Lulzim Lelçajt në cilësinë e anëtarit.

“Ngrihet komisioni parlamentar për shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetësh për shkarkimin e dy anëtarëve të KLD-së të zgjedhur nga Kuvendi, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj, për shkelje të rëndë të ligjit. Komisioni do verifikojë të dhënat, faktet dhe rrethanat për shkelje të ligjit nga anëtarët e KLD, që përbëjnë shkak për kërkesën për shkarkim. Komisioni përbëhet nga 9 anëtarë, 5 nga mazhoranca dhe 4 nga opozita. Votohet”, deklaroi kryetari i komisionit, Fatmir Xhafa.

Sipas raportit të 39 deputetëve të mazhorancës, të dy anëtarët me veprimet dhe mosveprimet e tyre në 10 raste kanë shkelur ligjin.

“Vijmë këtu për të parashtruar ngritjen e Komisionit Hetimor. Shkeljet e 2 anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë na detyrojnë neve të parashtrojmë këtë kërkesë. Ne jemi të bindur se në ushtrimin e detyrave tyre me veprimin apo mosveprimet e tyre ata kanë shkelur në mënyrë flagrante ligjin”, tha nga radhët e mazhorancës deputeti Taulant Balla.

Edhe pse u shprehën të gatshëm të përballen me komisionin hetimor, të dy anëtarët e KLD-së e konsideruan si jokushtetuese ngritjen e komisionit hetimor.

“Kjo kërkesë është anti-kushtetuese, por nuk është e papritur për mua. Kjo nismë konfirmon atë çfarë kemi thënë më parë, se KLD po sulmohet”, deklaroi Çefa para komisionit.

Sipas nenit 114, pas këtij vendimi të komisionit për çështjet ligjore pritet që Kuvendi të zhvillojë një debat në seancë plenare jo më vonë se 7 ditë nga data e paraqitjes së raportit dhe të propozimit për ngritje të komisionit hetimor.

Top Channel