Të miturit e penduar të burgut të Kavajës

23/09/2014 00:00

Institucioni i të miturve në Kavajë është « ndalesa » e parë e të rinjve që kryejnë vepra penale dhe që janë nën moshën 18 vjeç.

Kryesisht janë adoleshentë që vjedhin, por ka edhe raste kur ata akuzohen për krime kundër personit. Mes tyre gjen edhe gjimnazistë të akuzuar apo dënuar për plagosje dhe vrasje të ndodhura në ambientet e shkollës.

Për shkak të ndjeshmërisë dhe pasojave që kanë lënë pas ngjarjet si dhe moshës së mitur, fytyrat dhe identitetet e tyre nuk mund të publikohen, por pendesa e tyre po, pavarësisht ftohtësisë me të cilën artikulohet.

Një prej djemve akuzohet se ka vrarë bashkëmoshatarin e tij pas një konflikti të mbartur në shkollë.  

Si u gjende këtu?

Për vrasje.

Kë ke vrarë? Ku ishe?

Një person në shkollë.

Cfarë të shtyu që të ndërmarrësh këtë veprim?

Kam pasur probleme me të.

Para vrasjes për të cilën akuzohesh, kishe folur me prindërit, mësuesit ose psikologun?

Me asnjë.

Nuk mendoje se mund t’i zgjidhje problemet duke folur me dikë?

Jo, i zgjidhja vetë gjërat e mia.

Kishe kohë që kishe probleme me këtë person?

Po, 5 muaj.

Si ka ndryshuar jeta jote pas hyrjes në këto ambiente?

Nuk është si më parë, por edhe keq nuk është.

Cfarë të mungon nga jeta jashtë? Për kë të merr malli?

Takime me familjen bëjmë, kështu që vetëm të dal nga burgu më merr malli, për asgjë tjetër.

Të mungon liria?

Normale.

Nëse do të ktheheshe pas në kohë, do e kishe ndërmarrë një veprim të tillë?

Jo.

Je penduar për atë që ke bërë?

Po.

Cfarë mesazhi do i jepje familjes së djalit që i more jetën?

Ngushëllime, çfarë t’i them tjetër.

Nëse do të dëgjonte nëna e tij, çfarë do i thoje asaj?

Më vjen shumë keq për atë që ndodhi.

Cfarë do i thoje bashkëmoshatarëve të tu që të mos kalojnë eksperiencën që ke kaluar ti?

Merreni me qetësi çuna!

Ndërsa një 16-vjeçar për pak ditë e mbyll vuajtjen e dënimit. Ai u akuzua se në bashkëpunim me persona të tjerë plagosi bashkëmoshatarin e tij në oborrin e gjimnazit.

Mund të na tregosh për konfliktin e para disa muajve?

Tre ditë përpara kishin plagosur me thikë një shokun tim tek shkolla. Lamë takim sërish tek shkolla dhe i plagosëm ne ata të tjerët.

Pse ndodhi konflikti?

Pse më shef, pse të pashë…

Nëse do ktheheshe pas, do e bëje sërish të njëjtën gjë?

Jo.

Pas disa ditësh do e lësh këtë ambient. A do kthehesh më këtu?

Jo.

Cfarë ke menduar gjatë kësaj kohe që ke qenë këtu?

Kam menduar për jetën.

Të ka munguar liria jashtë?

Po.

Si ka qenë jeta jote para se të hyje këtu?

Mirë fare, rehat.

Ke ndonjë mesazh për t’i dhënë moshatarëve të tu?

Mos hyni në konflikte se do të kalbeni në burg, do ju ikë rinia!

Dhuna në shkolla

Ambientet e shkollave, kryesisht atyre të mesme, janë kthyer shpesh në vendngjarje krimi ku adoleshentët konfliktohen e plagosin njëri-tjetrin.

Për arsye nga më banalet, të rinjtë bien shpesh pre’ e dhunës së lindur në klasat, korridoret apo oborret e shkollave ku mësojnë. Përgjatë viteve të fundit janë shënuar incidente nga më të zakonshmet e deri tek ato më ekstremet, vrasjet mes gjimnazistëve.

Disa raste janë konsideruar si më të rëndat e viteve të fundit.   

Në dhjetor të vitit 2013 një 15-vjeçar u qëllua me armë zjarri gjatë orës së mësimit në shkollën profesionale « Beqir Cela » në Durrës. Autor i krimit ishte gjimnazisti i së njëjtës shkollë, një vit më i madh. Sherri i nisur për arsye të rëndomta u mbart për muaj me radhë, deri në momentin e vrasjes, një nga ngjarjet më flagrante në shkolla.  

Një gjimnazist 17-vjeçar u qëllua për vdekje me thikë në shkollën e mesme « Nazmi Rushiti » në Peshkopi. Ngjarja ndodhi në tetor të vitit 2011, ku autor i ngjarjes ishte bashkëmoshatari i tij, nxënës në të njëjtën shkollë.

Në janar të këtij viti, në shkollën e mesme “Partizani” dy gjimnazistë të së njëjtës shkollë u përleshën fillimisht fizikisht e më pas përdorën thikat pas një sherri që kishte nisur më parë në rrjetin social Facebook në lidhje me një vajzë të klasës së tyre.

Në shkurt të vitit 2012 një gjimnazist i shkollës “Ismail Qemali” u plagos me armë zjarri nga një tjetër nxënës i kësaj shkolle. I dëmtuari kishte rrahur një ditë para ngjarjes 16-vjeçarin, i cili në shenjë hakmarrjeje e qëlloi me armë zjarri një ditë më pas.

Në nëntor të vitit 2010, një gjimnazist i shkollës « Eqerem Cabej » u qëllua katër herë me thikë nga dy bashkëmoshatarët e tij në ambientet e shkollës. Policia tha asokohe se sherri kishte nisur për një femër. Nga ngjarja mbeti i plagosur lehtë edhe një kalimtar i cili tentoi të qetësonte situatën.

Top Channel