Tiranë, eksploziv automjetit

23/09/2014 00:00

Një sasi prej rreth 50 gramë lëndë eksplozive, por pa detonator është zbuluar mesditën e së martës poshtë një makine në kryeqytet, në afërsi të komisariatit numër 2.

Ka qenë vetë drejtuesi i mjetit tip “Alfa Romeo” me targë “AA 601 FP”, Fatjon Vrapi, i cili pasi ka shkuar për të ndezur automjetin e tij, ka pikasur një send të dyshimtë në pjesën e poshtme të makinës.

Menjëherë ka njoftuar forcat e policisë, me ekspertët xhenierë që pasi kanë evakuuar zonën kanë bërë të mundur heqjen e sasisë së eksplozivit.

Vrapi kishte rreth një muaj që ishte kthyer nga Italia, ndërsa automjetin e kishte parkuar afër shtëpisë së tij. Ndërkaq, unioformat blu kanë nisur punën për identifikimin e autorëve të vendosjes së lëndës eksplozive.

Atentatet me eksploziv kanë qenë të shpeshta në muajt e fundit, si në kryeqytet ashtu edhe në rrethe. Më herët gjatë muajit një shpërthim eksplozivi tronditi zonën pranë “Medresesë” në Tiranë.

Shpërthimi ndodhi në një banesë private në rrugën “Ibrahim Kazazi”, në pronësi të ish-futbollistit të Vllaznisë, Partizanit dhe Elbasanit, Skerdi Bejzade.

Fatmirësisht nga shpërthimi pati vetëm dëme materiale, ndërsa në banesë ndodhej vetëm nëna e ish-futbollistit, e cila mbeti e tronditur nga shpërthimi.

Në vendin e ngjarjes mbërritën forcat e Policisë së Tiranës, të cilat nisën hetimet për zbardhjen e shkaqeve të kësaj ngjarje dhe identifikimin e autorëve.

Ndërsa në rrethe ngjarjet që kanë spikatur më shumë kanë qenë ajo e ekzekutimit të një biznesmeni në Vlorë, si dhe shpërthimi i automjetit të kryetarit të Bashkisë së Fushë Krujës.

Top Channel