Aeroporti i Beogradit dhe ai i Tiranës kanë hapur sërish portat për linjën ajrore që lidh të dyja vendet.

Në fluturimin e parë avioni ka qenë i mbushur. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndonëse sqarohet se ishte për shkaqe ekonomike, linja e aviokompanisë jugosllave “JAT” ishte mbyllur. Të huajt, por edhe shqiptarët e serbët udhëtimet i bënin sikur të ishin klandestin për të arritur në destinacionin e duhur, nga një shtet në tjetrin.
 
Por, tani pas krijimit të një frymë të re duket se gjithçka është gati për të lidhur më pak se 400 kilometra vijë ajrore.
 
Pas 6 vite ndërprerje avioni i “AirSerbi” ka ateruar në aeroportin “Nënë Tereza”. Tashmë, përveç afrimeve politike, me vizitën e Kryeministrit Edi Rama, e cila pritet të ndodh në Beograd, duket se problemet në komunikim do të jenë edhe më të vogla.
 
Në aeroportin e Tiranës, pas një pritjeje solemne, zyrtarët thonë se kjo linjë do të lidh të dyja vendet në shumë fusha.

“Konkretizohen përpjekjet e përbashkëta të dy qeverive për të shkurtuar distancën e lëvizjes të qytetarëve nga të dyja anët”, u shpreh Ylli Menjani, zëvendësministër i Transportit dhe Infrastrukturës.

“Jam i bindur që kjo linjë, përveç pasagjerëve do të lidh edhe aktorët e vërtetë të ekonomisë dhe do të hap mundësi zhvillim”, tha. Zoran Ilic, zëvendësministër i Transportit në Serbi.

Por, për ata që punojnë në Beograd apo në organizata rajonale, linja shkurton një ditë të tmerrshme.

“Për mua që do të thotë, që më duhet të udhëtojë shpesh, do të thotë shkurtim kohe, lodhjeje dhe shkurtim kostosh”, tha një pasagjere.

“Fluturimi është i mirëseardhur jo vetëm për mua, por edhe për një pjesë të mirë të udhëtarëve. Efekti kohë është po aq i rëndësishëm sa edhe efekti para. Udhëtimet deri tani janë bërë nëpërmjet Maqedonisë ose nëpërmjet Malit të Zi që kushtonin një ditë tërë”, u shpreh një tjetër pasagjere.

“AirSerbia”, siç thonë, do të ofroj çmime të lira për shqiptarët dhe lidhje edhe me perëndimin e vendet tjera.

Top Channel