Embargoja e armëve ndaj Vietnamit

24/09/2014 00:00

Rreth 40 vjet nga tërheqja përfundimtare ushtarake e Shteteve të Bashkuara nga Vietnami, Uashingtoni është duke lëvizur për heqjen e embargos së armëve me armikun e saj të dikurshëm.

Zyrtarë të lartë amerikanë kanë thanë për “Reuters” se Uashingtoni do të mbështesë Vietnamin për të rritur aftësinë e saj për të monitoruar dhe mbrojtur bregdetin e saj. Avionët mbikëqyrës mund të jenë të parët që do t’i shiten Vietnamit.

Avionë të tillë do t’i mundësonin Vietnamit kontrollimin e hapësirave ajrore mbi Detin e Kinës Jugore, i cili pretendohet nga disa shtete.  

Dy zyrtarë të lartë të administratës “Obama” kanë thënë se diskutimet mbi lehtësimin e embargos janë duke u zhvilluar në Uashington.

“Situata tashmë ka ndryshuar. Vietnami është një partner për të cilin interesat tonë janë konvergjente”, tha një nga zyrtarët, duke folur në kushte anonimati.

Marrëdhëniet e reja me Vietnamin, pavarësisht historikut, janë në përputhje me strategjinë e Presidentit Obama për të rifokusuar vëmendjen ekonomike, politike dhe ushtarake në drejtim të Azisë.

Dy zyrtarët e lartë në industrinë e armëve thanë për “Reuters” se heqja e embargos së armëve ndaj Vietnamit pritet të ndodh së shpejti. “Ka shumë diskutime mbi lejimin e shitjes së armëve në Vietnam. Kjo është një zonë premtuese për ne”.

Ndërsa, Ministria e Jashtme e Vietnamit nuk ka dhënë asnjë koment deri tani.

Top Channel