Vatikan, arrestohet ish-kleriku pedofil

24/09/2014 00:00

Ish-nunci apostolik Josef Wesolowski është arrestuar në Vatikan, i akuzuar për pedofili.

Sipas zëdhënësit të Selisë së Shenjtë, arrestimi është kryer duke ndjekur vullnetin e shprehur nga Papa Françesku, i cili ka shpejtuar procesin penal. Është hera e parë, që Vatikani arreston një klerik kaq të lartë, gjë kjo që dëshmon dhe një herë vendosmërinë e Atit të Shenjtë, për të ndëshkuar fajtorët e abuzimeve mbi të miturit, për të cilët ai është shprehur se nuk u njihet asnjë rrethanë lehtësuese.

Synimi i Atit të Shenjtë, shpjegon zëdhënësi i tij At Federico Lombardi, është që një rast kaq i rëndë dhe delikat të trajtohet pa vonesa, me marrjen përsipër të përgjegjësisë së plotë nga ana e institucioneve përkatëse të Selisë së Shenjtë.

Me sa dihet, ka edhe dy peshkopë të tjerë që janë nën proces në Vatikan, për të njëjtat shkelje. Për shkak të gjendjes shëndetësore të ish-nuncit apostolik, ai nuk është mbyllur në mjediset e xhandarmërisë, por mbahet në regjim arresti shtëpiak në pallatin e drejtësisë, brenda Vatikanit.

Zyrtari me origjinë polake ka një karrierë të gjatë diplomatike. Prej vitit 2008 ishte i dërguar në Republikën Domenikane. Në Gusht të vitit të kaluar, ai qe pezulluar nga detyra, pikërisht si rrjedhojë e disa akuzave për abuzim seksual mbi të miturit.

Përveç hetimit penal të hapur në Republikën Domenikane, mbi këtë rast pati ndërhyrë edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila i kërkoi Vatikanit hetime të menjëhershme dhe të paanshme. Fillimisht Wesolowski iu nënshtrua gjykimit kanonik, që vendosi kthimin e tij në gjendjen laike. Ndërsa arrestimi i tij i dëshmoi botës mbarë “tolerancën zero” të Papës mbi këtë temë.

Top Channel