Guardiola: Jemi në krye, por rëndësi ka loja që bëjmë

24/09/2014 00:00

Bayerni është ngjitur sërish në krye të Bundesligas, këtë herë i vetëm, pasi mposhti 4-0 debutuesit e Paderbornit.

“Ishte një fitore e rëndësishme dhe një sinjal i qartë”, komentoi pas ndeshjes holandezi Arjen Robben. Ndërsa tekniku spanjoll Pep Guardiola ishte veçanërisht i kënaqur me “25 minutat e para të shkëlqyera”. “Tashmë jemi në krye, edhe pse nuk vlen asgjë për momentin. E rëndësishme mbi të gjitha është mënyra se si luajmë”, shtoi ai.

“Luajtëm një ndeshje perfekte për 25 minuta, përgjithësisht jam i kënaqur, sepse performanca jonë është përmirësuar”, u shpreh pas fitores së djeshme Pep.

Për Robben duket se Bayern “ishte thjesht ekipi më i mirë. Ata kishin probleme dhe nuk mundën të na mbyllnin hapësirat në fillim të ndeshjes. Ne bëmë gjithçka në fillim dhe siguruam një avantazh 2-0. Kjo është fitorja e parë për ne me një diferencë të madhe golash, por duhet të vijojmë me këtë formë”.

Nuk mund të mos fliste autori i dy golave ndaj Padebornit, Mario Gotze: “Ishim përgatitur mirë dhe ishim të vendosur për të përmbushur të gjitha kërkesat ndaj një ndeshjeje të tillë. 3 pikët janë të rëndësishme, veçanërisht kur luajmë në shtëpi. Mendoj se luajtëm shumë mirë, ndaj dhe për këtë merita ka i gjithë ekipi. Golat e shënuar herët ishin të rëndësishëm, kemi shumë kualitete dhe synojmë të ecim përpara me të njëjtën performancë”.

Trajneri i të sapongjiturve në Bundesliga, Paderbornit, e ka parë këtë ndeshje si një përballje prestigji dhe krenarie, jo vetëm për maksimumin e dhënë në fushë, por mbi të gjitha sepse luajtën ndaj një ekipi gjigant, me kualitete të jashtëzakonshme, dhe për më tepër që u erdhi radha të sfidoheshin me njëri-tjetrin në një moment feste: “Do të qëndrojmë këtu sot (dje) dhe nesër (sot) do të shkojmë në Oktoberfest”.

“Ky takim ishte special për ekipin tonë. Gjithmonë kemi dashur të luajmë në një stadium tërësisht të skuqur. Bayern ka kualitete të jashtëzakonshme dhe e nisi me një vrull të madh sulmi, ndaj të cilave nuk mund të bënim dot gjë, sepse s’mund t’i ndalnim dot të gjitha. Por, ne u përpoqëm të bënim lojën tonë dhe jam shumë krenar, sepse lojtarët e mi bënë një punë të jashtëzakonshme”.

Top Channel