“Lufta ndaj ISIS mund të dojë vite”

24/09/2014 00:00

“Lufta kundër grupit xhihadist të Shtetit Islamik mund të dojë vite të tëra”. Kështu është shprehur zëdhënësi i ushtrisë amerikane, Kundëradmiral John Kirby, i cili shtoi se sulmet ajrore të udhëhequra nga Amerika kundër ISIS në Siri kanë shkatërruar aftësitë e grupit ekstremist.

Deklarata erdhi pasi Presidenti amerikan Barack Obama falënderoi shtetet arabe për ndihmën, ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, tha se më shumë se 50 kombe i janë bashkuar luftës kundër ISIS.

Grupi ekstremist ka pushtuar zona të tëra në Siri dhe Irak, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë kryer afro 200 sulme ajrore në Irak që prej muajit Gusht.

Sulmet e së hënës zgjeruan fushatën anti-ISIS përtej kufijve irakianë, drejt atyre sirianë, për herë të parë. Aktivistët thonë se të paktën 70 militantë të ISIS dhe 50 luftëtarë të tjerë të lidhur me al-Qaedan, por edhe 8 civilë janë vrarë nga sulmet.

Duke folur në Uashington, Kudnëradmiral John Kirby tha se sulmet ajrore në Siri kanë degraduar me sukses kapacitetet e ISIS. “Mendojmë se kemi goditur në ato objektiva që synonim”, tha ai.

Gjithsesi, Shteti Islamik është shfqur shumë i adaptuar dhe reagues ndaj ndryshimeve – shtoi ai, – duke thënë se grupi përbën “një rrezik serioz” që nuk do të eliminohet brenda pak “ditëve apo muajve”.

“Do të duhet të ketë një gjithëpërfshirje serioze nga të gjithë vendet e rëna dakord. Ne besojmë se nuk gabojmë po të flasim për diçka që mund të kërkojë edhe vite”.

Sulmet kanë shënjestruar selinë kryesore të ISIS në bastionin e tyre Raqqa, në Verilindje të Sirisë, ashtu sikurse edhe vendet e trajnimit, mjete të shumta dhe depo në disa zona të tjera.

Rezidentë në Raqqa kanë thënë për gazetarët se sulmet ajrore kanë pasur një impakt të madh ndaj luftëtarëve të ISIS. Një aktivist atje tha për agjencinë e lajmeve AFP, se militantët tashmë janë “fokusuar në përpjekjet për të shpëtuar veten”. Madje, qindra luftëtarë, të cilët kanë kontrolluar trafikun dhe sigurinë në rrugë, tashmë janë larguar.

Top Channel