India çon të parën sondë në Mars

24/09/2014 00:00

India ka hedhur me sukses një satelit në orbitën përreth Marsin, duke u bërë vendi i katërt që bën diçka të tillë.

Sonda robotike “Mangalyaan”, një prej misioneve më të lira ndërplanetare në histori, do të nisë së shpejti punën për të studiuar atmosferën e planetit të kuq.

Djegia 24-minutëshe e motorit ngadalësoi sondën në zbritje, mjaftueshëm për ta lejuar atë të kapej nga graviteti i Marsit. Kryeministri indian Narendra Modi tha se vendi kishte arritur “pranë të pamundurës”.

Duke folur në qendrën e kontrollit të misionit, në qytetin jugor të Bangalores, ai tha: “Parashikimet ishin tërësisht kundër nesh. Nga 51 përpjekjet për misione të bëra në botë, vetëm 21 kanë pasur sukses. Ne ia dolëm mbanë”.

Vetëm SHBA, Europa dhe Rusia kanë dërguar në të kaluarën misione në Mars, por India është i pari vend që ia del mbanë që në përpjekjen e parë. Sateliti i fundit amerikan Maven mbërriti në Mars ditën e hënë.

Agjencia amerikane e Hapësirës, NASA, përgëzoi homologët indianë ISRO, Organizata indiane për Hapësirën dhe Kërkimet, për suksesin e arritur të mërkurën.

“Përgëzojmë ISRO për mbërritjen në Mars. Le t’i bashkohet misioneve të studimit të planetit të kuq”, shkroi në Twitter agjencia amerikane.

Top Channel