Jordani, Abu Qatada shpallet i pafajshëm

24/09/2014 00:00

Kleriku musliman radikal, Abu Qatada, nuk është shpallur fajtor për akuzat e terrorizmit. Një panel gjykatësish në Jordani, në Gjykatën e Sigurisë së Shtetit në Amman, dolën në konkluzionin se ai nuk ishte përfshirë në një komplot të dështuar që synonte festimet për mijëvjeçarin e ri, gjatë vitit 2000.

Vendimi vjen pak kohë pasi ai u shfajësua në Qershor për konspirimin e një fushate bombardimi në Jordani gjatë 1998-s. Abu Qatada u dëbua nga Britania e Madhe në Korrik të vitit 2013. Vendimi vjen gjithashtu pas një beteje të gjatë ligjore nga ministrat në Britani, për të detyruar shkollarin të përballet me gjykimin në vendin e tij të lindjes.

Gjyqi është zhvilluar në gjykatën e Jordanisë, me seli në një bazë ushtarake në Marka, një periferi të kryeqytetit Amman. Abu Qatada akuzohej për dhënien e mbështetjes shpirtërore përmes shkrimeve ndaj njeriut, që akuzohet se planifikoi një seri keqbërjesh ndaj objektivave të Perëndimit dhe Izraelit në Jordani, në prag të mijëvjeçarit të ri.

Hetues jordanez dhe amerikanë e kanë pasur nën survejim dhe nisën sulme ndaj shtëpive në Amman, javët e para të vitit të ri. Prokurorët thanë se u gjetën libra të Abu Qatadas dhe ai u akuzua për financim ndaj komplotuesve. Ai mohoi akuzat në gjyqin, ku u shënuan disa “shpërthime” emocionale nga i akuzuari.

Top Channel