Mbështetet fushata anti-ISIS

24/09/2014 00:00

Në Kongresin amerikan, një pjesë e ligjvënësve e përshëndetën nisjen e fushatës ajrore kundër ISIS-it në Siri, ndërsa disa të tjerë u shfaqën ngurrues, me argumentin se natyra e misionit të Shteteve të Bashkuara po ndryshon, dhe se duhet diskutuar e votuar për autorizimin e një fushate më të gjerë e më të qëndrueshme ushtarake, kundër grupeve terroriste në këtë vend e në Irak.

Zëri i Amerikës citon kryetarin e Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura, Karl Levin, ta ketë përshkruar si historik faktin, që në këto sulme janë përfshirë vende si Bahreini, Jordania, Arabia Saudite, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Lideri i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani John Boehner, pohoi nga ana tjetër se i mbështet sulmet ajrore të urdhëruara nga Presidenti, nëse ato përbëjnë vetëm një hap drejt asaj, që duhet të jetë një përpjekje më e gjerë për mposhtjen e organizatës terroriste.

Shqetësim mbi sulmet ajrore nuk kanë paraqitur vetëm republikanët. Edhe senatori demokrat Tim Kaine u shpreh se natyra e veprimeve ushtarake të Shteteve të Bashkuara është duke ndryshuar dhe se Presidenti nuk duhet ta bëjë këtë lëvizje pa miratimin e Kongresit.

Në qoftë se do të ketë një llogaridhënie për këtë, Kongresi nuk duhet të lejojë, që ajo të ndodhë pa përfshirjen e tij, tha Kaine.

Ndërkohë, administrata amerikane sqaroi se sulmet ndaj pozicioneve të Shtetit Islamik në Siri nisën për shkak se Damasku zyrtar nuk ua ndaloi dot militantëve ngritjen e bazave në këtë vend. Në një letër drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Samantha Powers, argumenton se ISIS-i ka përdorur streha të sigurta brenda Sirisë për të trajnuar, financuar dhe për të ndërmarrë sulme kundër popullit irakian.

Në letër, ajo kujton se Karta e OKB-së iu bën thirrje vendeve anëtare të parandalojnë veprime të tilla në territorin e tyre, ndërsa Siria, sipas Powers, nuk është e gatshme ose nuk është e aftë ta bëjë një gjë të tillë.

Top Channel