ISIS, Turqia mohon të ketë pjesë në sulme

24/09/2014 00:00

Sulmet e reja ajrore, me shënjestër militantët e Shtetit Islamik në Siri, kanë goditur tashmë edhe objektiva shumë pranë kufirit me Turqinë.

Aktivistët sirianë raportuan se sulmet ndodhën pranë fshatit Kobane, që ishte pushtuar nga ISIS prej disa ditësh. Dëshmitarët thanë se kishin parë dy avionë luftarakë që afroheshin nga Turqia, por zyrtarët turk mohuan që hapësira e tyre ajrore apo bazat e tyre të ishin përdorur për sulme në Siri.

Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara zgjeroi sulmet ndaj ISIS, duke përfshirë të hënën edhe objektivat në Siri. Por, bombardimi ajror në Kobane nuk është konfirmuar nga SHBA apo ndonjë partner tjetër i koalicionit.

Burime nga ushtria turke thanë se nuk janë përdorur as hapësira ajrore e saj dhe as baza amerikane në Incirlik. Shteti Islamik ka pushtuar rajone të tëra në Siri dhe Irak, ndërsa SHBA-të kanë nisur mbi 200 sulme ajrore në Irak që prej muajit Gusht.

Komanda qendrore amerikane (Centcom) tha se dy sulme të reja janë bërë në Siri përgjatë natës së të martës, duke shkuar në total në 16 sulme.

Top Channel