Japonia, sanksione të reja Rusisë, protesta për ishullin

24/09/2014 00:00

Japonia njoftoi të mërkurën se do të vendoste sanksione të reja shtesë ndaj Rusisë, për shkak të përfshirjes së saj në konfliktin e Ukrainës, si dhe bëri të ditur se ka protestuar formalisht ndaj vizitës së një ndihmësi të Presidentit rus Vladimir Putin në një ishull të kontestuar.

Masat e reja përfshijnë ndalimin e bankave të caktuara ruse nga lëshimi i letrave me vlerë në Japoni, si dhe përshkallëzimi i inspektimeve për të ndaluar dërgimin e armëve në Rusi, bëri të ditur kryesekretari i kabinetit, Yoshihide Suga.

Por, ai shtoi gjithashtu se nuk ka asnjë ndryshim të politikës së Tokios për të ruajtur dialogun me Moskën.

Japonia vendosi sanksione pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, në Mars, por ato ishin shumë më të lehta se sa sanksionet e Bashkimit Europian apo Shteteve të Bashkuara, duke reflektuar synimet e Tokios për të forcuar lidhjet ekonomike dhe energjitike mes dy palëve.

“Ne do të vazhdojmë të jemi në kontakte të ngushta me kombet e tjera të G7-s dhe shoqërinë ndërkombëtare, për të gjetur një zgjidhje paqësore dhe diplomatike ndaj situatës në Ukrainë”, tha Suga në një konferencë për shtyp.

Ai tha gjithashtu se Japonia ka dorëzuar një protestë përmes kanaleve diplomatike në lidhje me vizitën e shefit të stafit të Putinit, Sergei Ivanov, gjatë së mërkurës në një prej ishujve të kontestuar, që nga Japonia njihet si “Territoret e Veriut”, ndërsa nga Rusia njihet si “Kurilet Jugore”.

“Një vizitë e një personi me një pozicion të lartë në qeverinë ruse shkon kundër qëndrimit të Japonisë në lidhje me ‘Territoret Veriore’”, tha Suga. “Ajo dëmton ndienjat e popullit japonez dhe është jashtëzakonisht për të ardhur keq”.

Top Channel