Edhe Britania në fushatën kundër ISIS

24/09/2014 00:00

Parlamenti britanik pritet të thirret sërish për diskutime gjatë së premtes, në lidhje me rolin e Britanisë së Madhe në sulmet ajrore kundër Shtetit Islamik. Ende nuk ka asnjë konfirmim zyrtar, por gjatë ditës pritet të bëhet një njoftim.

Mësohet se ngurrimi për ta shpallur njoftimin është bërë për sa kohë që është duke u zhvilluar konferenca e Laburistëve. Pritet gjithashtu të ketë një kërkesë formale nga kryeministri irakian gjatë pasdites së të mërkurës, që Britania t’u bashkohet sulmeve ajrore.

David Cameron tha për amerikanen “NBC News”  se lufta kudnër Shtetit Islamik ishte një luftë “të cilës nuk nuk mund t’i shmangesh”.

Shteti Islamik, i njohur më herët si ISIL apo ISIS, ka marrë kontrollin e pjesëve të mëdha të territorit në Irak e Siri gjatë muajve të fundit. “Organizata terroriste ka naftën, paratë, territorin dhe armët e nevojshme për të përbërë rrezik ndaj të gjithëve, madje edhe për të planifikuar komplote të tjera në Europë apo ngado”, tha Cameron.

Shtetet e Bashkuara dhe 5 shtete të tjera nga Gjiri Persik e Lindja e Mesme i janë bashkuar bombardimeve kundër Shtetit Islamik në Siri.

Edhe lideri laburist, Ed Miliband, tha për BBC se ishte i “hapur ndaj mundësisë” për të mbështetur sulmet ajrore kundër Shtetit Islamik në Irak.

“Si mund ta gjykoj unë një propozim të tillë? Vetëm nëse Britania do të ketë ndikim, vetëm nëse ne mund të arrijmë sukses dhe nëse lufta është legjitime dhe në respekt të ligjeve. Por, jam i hapur ndaj kësaj mundësie”, tha ai. “Përpara se t’i angazhoj trupat britanike, dua të shoh propozimet dhe natyrën e tyre”.

Gjithsesi, sulmet ajrore kundër Shtetit Islamik në Siri do të kenë të nevojshme një rezolutë të Këshillit të Sigurisë në OKB, për të marrë mbështetjen e laburistëve, shtoi Miliband.

Top Channel