Kina premton reduktimin e ndotjes

24/09/2014 00:00

Për të parën herë, Kina premtoi publikisht se do të ndërmarrë hapa konkrete sa i takon ndryshimeve klimatike dhe, në samitin e OKB-së në Nju Jork tha se emetimet e saj, më të lartat sot në botë, shumë shpejt do të mbërrijnë pikën e frenimit.

Zëvendëspresidenti Zhang Gaoli shtoi gjithashtu se vendi i tij do ta bëjë ekonominë shumë më të efektshme në raport me karbonin, deri në 2020-n.

“Do t’i bëjmë publike veprimet tona për ndryshimet e klimës, sapo të arrijmë të reduktojmë intensitetin karbonik, të rrisim nivelin e karburanteve jo-fosile e të shtojmë hapësirat e pyjëzuara. Do të përpiqemi gjithashtu të tkurrim sa më shpejt, që të jetë e mundur, emetimin e dioksidit të karbonit”, tha Zhang Gaoli, zëvendëspresident i Kinës.

Synimi i Pekinit është që, krahasuar me vitin 2005, pas disa vitesh emetimet e gazeve të dëmshme t’i zvogëlojë në masën 45%, ndërsa në mbështetje të bashkëpunimit për klimën premtoi edhe 6 milionë dollarë.

Presidenti i një tjetër ndotësi të madh të atmosferës, Shteteve të Bashkuara, u shpreh se ndryshimet e klimës po përshpejtohen me ritëm më të madh, se sa përpjekjet për të përmirësuar situatën. Obama shtoi se Amerika dhe Kina kanë përgjegjësinë të udhëheqin vendet e tjera.

“Kërcënimi urgjent dhe në rritje i ndryshimit të klimës do të përfundojë duke përvijuar konturet e këtij shekulli, në mënyrë shumë më dramatike se çdo gjë tjetër. E pranojmë rolin tonë në krijimin e këtij problemi dhe marrim përsipër përgjegjësinë që na takon, për ta luftuar”, tha Obama.

Samiti më i madh i klimës, që prej 2009-s, u organizua nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon me qëllimin të inkurajojë 120 vendet anëtare të firmosin marrëveshjen e re globale në bisedimet e planifikuara të zhvillohen në Paris, vitin që vjen.

Mesazhi për liderët botërorë është i qartë: koha po kalon dhe për të shmangur ndikimet edhe më katastrofike të klimës, deri në fund të 2015-s, pakti i ri për mbrojtjen e klimës duhet të jetë nënshkruar.

Top Channel